Tirana ngrihet kundër zgjedhjeve farsë! Protestuesit: Nuk pajtohemi me rikthimin e diktaturës!

Mijëra protestues me pankarta në duar dhe duke folur me megafon kanë mbërritur në KZAZ-në që ndodhet në zonën e Astirit.

Protestës i janë bashkuar edhe banorët e Unazës së Re si dhe ish-deputeti Klevis Balliu. I pyetur nga Fax News se përse sot protestohet dhe a është kjo në shkelje të rregullit të heshtjes zgjedhore pasi jemi vetëm një ditë para zgjedhjeve vendore, Balliu tha se nuk po bëhet fushatë por protestë kundër diktaturës.

“Nuk jemi në fushatë që të mbajmë heshtje zgjedhore, jemi në protestë. Qytetarët të kontrollojnë revoltën, të shmangin provokimet dhe nxitjen e akteve të dhunës nga Rama dhe të mos këtë përplasje”.

Ndërkohë protestuesit e kanë konsideruar lëvizjen e tyre si paqësore dhe kanë paralajmëruar se do të protestojnë edhe ditën e nesërme. Ata shprehen se janë kundër zgjedhjeve monopartiake dhe rikthimit të diktaturës. Ata thanë për Fax News se, askush nuk mund të ndalojë qytetarët të dalin kundër instalimit të sistemit një partiak dhe akuzuan kryeministrin Rama për farsën zgjedhore që sipas tyre po përgatit për ditën e nesërme.

Exit mobile version