Strehimi në Tiranë po shndërrohet në një sfidë për shumë të rinj dhe familje, si rezultat i mungesës së një strategjie të qartë zhvillimi urban, favorizimit të ndërtuesve mbi interesin publik dhe rritjes së vazhdueshme të çmimeve.
Këto përfundime u theksuan në studimin “Sfidat e Strehimit në Bashkinë Tiranë”, prezantuar nga Instituti për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror (IKESH).
“Strehimi duhet të trajtohet si një e drejtë themelore dhe jo thjesht si një çati mbi kokë,” tha gjatë prezantimit hulumtuesja Xhuljane Uku, duke vënë në pah peshën e zhvillimit ekonomik të Tiranës, që sipas saj, “po mbështetet kryesisht te ndërtimi”.
Lejet e ndërtimit
Në shtatë vitet e fundit, pa përfshirë vitin 2024, Bashkia Tiranë ka miratuar mbi 8133 leje të reja ndërtimi, megjithëse popullsia e qytetit është zyrtarisht në rënie.
Numri i qytetarëve të transferuar gjatë një viti nga rrethet në Tiranë ra nga 21 mijë në vitin 2019 në vetëm 5,700 në vitin 2023. Gjithsesi, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit arriti nivelin rekord prej 1.8 milionë m² në vitin 2022, sipas INSTAT.
Studimi i IKESH referon se 60% e kompanive ndërtuese që morën leje ndërtimi mes viteve 2017 dhe 2019 nuk justifikojnë burimet e tyre financiare.
Për këtë periudhë, sipas “Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar” vlerësohet se rreth 1.6 miliardë euro janë pastruar në sektorin e ndërtimit.
Rritja e çmimeve dhe pabarazitë sociale
Në vitin 2023, çmimi mesatar për metër katrorë arriti në 1500 euro, ndërsa paga mesatare nuk i kaloi 700 euro në muaj. Kështu hendeku midis rritjes së çmimeve të banesave dhe pagave u thellua, me një rritje prej 20.90% për banesat dhe vetëm 9.44% për pagat.
“Ndërtuesit krijojnë një kërkesë artificiale, duke deformuar tregun real të ofertës dhe kërkesës,” tha urbanisti Artan Kacani.
Sipas një rasti studimor të marrë për shembull në raporti ne IKESH, qiraja mujore e një apartamenti pranë stadiumit kombëtar në Tiranë është më e ulët se kostoja mujore e kredisë për të blerë të njëjtën pronë. Kjo reflekton sfidat financiare me të cilat përballen individët që kërkojnë të hyjnë në tregun e banesave në zonat më popullore.
Ndër arsyet kryesore për rritjen e çmimit të qirave ky raport rendit, ndarjen sociale dhe krijimi i luksit për një elitë të vogël, krijimi i një flluske pasurish të paluajtshme, mungesa e mbikëqyrjes, etj.
Programi i munguar i strehimit Social
Raporti i IKESH thekson se“Tirana është një nga shtatë qytetet kryesore evropiane me nivele të larta të papërballueshmërisë së banesave” duke e bërë të vështirë për shtresat në nevojë apo klasën e mesme të pasurit një shtëpi.
Përballë kësaj situate programet e strehimit social të Bashkisë Tiranë mund të thuhet se kanë dështuar të përmbushin nevojat e qytetarëve.
Bashkia ofron si programe mbështetëse për strehimin subvencionimin e qirasë (bonusin e qirasë), interesave të kredisë (kreditë e buta) dhe banesat me kosto të ulët (banesa sociale).
Por nga 4,350 aplikime për subvencionimin e qirasë (2018-2024), vetëm 49% (2,146) janë miratuar.
Nga 7,645 aplikime për subvencionimin e interesave të kredisë (2018-2022), vetëm 34% (2,652) janë pranuar.
Ndërkohë për banesat me kosto të ulët (2015-2018) nuk ka pasur asnjë përfitues edhe pse kanë aplikuar 1,255 qytetarë.
“Vetëm 467 të rinj, si kategori prioritare, kanë përfituar nga strehimi social në shtatë vite,” theksoi hulumtuesja Vitori Cipi.
Rekomandimet
Raporti i IKESH përfundon se situata aktuale në tregun e banesave në Tiranë është rezultat i politikave të dobëta të zhvillimit urban, mungesës së transparencës dhe favorizimit të ndërtuesve, duke lënë qytetarët nën presionin e pamundësisë për të siguruar një banesë të përballueshme.
Për këtë sugjerohet rishikimi i vlerës së çmimit të referencës dhe krijimi i një rregullatori të qirave dhe çmimeve të blerjeve.
Paralelisht këshillohet zvogëlimi i varësisë së Bashkisë Tiranë nga sektori i ndërtimit, forcimi i kontrollit mbi investimet financiare në ndërtim dhe krijimi i sindikatave të pronës dhe nxitja për të hedhur në treg apartamentet boshe, duke minimizuar ndikimin e flluskave të pasurive të paluajtshme./