Shitja e librave shkollor u shoqërua me radhë të gjata dhe orë të tëra pritje për prindërit dhe nxënësit. Kjo është situata gjatë paradites së të hënës, 5 shtator në disa nga pikat e tregtimit në kryeqytet.
Shpërndarja ka nisur pas një shtyrje një javore, për shkak të mungesës së pullave të reja të çertifikimit të botimeve. Por edhe këtë herë, nxënësit kanë mangësi në tekste. Një prind thotë se “nuk më pëlqen fare kjo shpërndarje. Vendi që kanë zgjedhur nuk është i përshtatshëm, plus që duhet të vij dhe dy tre herë të tjera”.
Prindërit ngritën si shqetësim edhe shitjen e teksteve në ambjante të tilla dhe jo në shkolla ku mund të orientohen më lehtë. “Organizim i dobët si çdo vit. Punë shqiptarësh”, thotë një prind tjetër.
Ministria e Arsimit, sqaron prindërit se tekstet do të shpërndahen sipas grafikës dhe ka botimet për të gjithë kërkesat e nxënësve. Për debatin e ngritur për mungesën e pullave, produkt i një tenderi në Ministrinë e Arsimit, Drejtorja Zamira Gjini, tha ai ka përfunduar në datën 5 maj, por disa nga shtëpitë botuese ende nuk i kanë marrë ato. “Një pjesë e botuesve nuk kanë marrë akoma pullën me hologram, por sigurojmë që të gjithë do të pajisen me pullë”.
Autoritet e Ministrisë së Arsimit sqarojnë se deri në nisje të vitit të ri shkollor, nxënësit do të pajisjen me të gjithë librat, por në fakt edhe vjet pati problem me mungesën e librave deri sa përfundoi semestri i parë i shkollës.
Prindër dhe fëmijët e tyre që duan të blejnë, gjimnazistë që pyesin dhe largohen. Sot, të blesh një libër shkolle duhet ta llogarisësh mirë: brenda javës, edhe mund të mbarosh punë. Me orë të tëra në vapë për librat e fëmijëve, prindërit nuk e dinë nëse do arrijnë që brenda datës 13 shtator, t’u plotësojnë librat që u nevojiten fëmijëve të tyre.