Rey Manaj sërish titullar te Pescara. Sulmuesi shqiptar e ka hedhur plotësisht pas shpatullave dëmtimin dhe pasi e nisi nga stoli ndeshjen ndaj Milanit duke u aktivizuar vetëm në minutën e 77-të, do të rikthehet në 11-shen titullare të Pescarës në sfidën e radhës të kampionatit ndaj Empolit. Mediat italiane raportojnë se Manaj është shumë i rëndësishëm për skuadrën abruceze dhe trajneri Massimo Oddo nuk mund të bëjë dot pa shërbimet e sulmuesit shqiptar. Edhe pse luajti titullar në sfidën e mesjavës së kaluar ndaj Atalantës, 19-vjeçari u ul sërish në stol në ndeshjen ndaj Milanit, por kjo ndodhi edhe për faktin se Manaj nuk kishte arritur ende formën optimale.
Tashmë ai dëmtim që e mbajti jashtë kombëtares shqiptare për sfidat ndaj Lihtenshtejnit dhe Izraelit, është një kujtim i largët për kuqeziun, i cili pritet të rifitojë vendin e tij në formacionin e Pescarës pikërisht në sfidën e të dielës së ardhshme që do të vejë përballë Frederik Veselin me Ledian Memushajn e Rey Manajn. Sfida ndaj Empolit është shumë e rëndësishme për Pescarën në garën për mbijetesë, me skuadrën nga krahina e Abrucos që do të tentojë të marrë fitoren e parë në fushën e lojës pas asaj në tavolinë ndaj Sassuolos. Rey Manaj deri tani është aktivizuar në total në 8 ndeshje të Serisë A me Pescarën, vetëm 2 prej tyre i ka nisur si titullar, ndërsa ka realizuar edhe 2 gola.
Ndërkohë, sfida mes Udineses dhe Torinos përfundoi në barazim 2-2. Edhe pse pritej të debutonte në Serinë A me Torinon, Arlind Ajeti nuk u aktivizua për asnjë minutë nga trajneri i skuadrës Granata, Sinisa Mihajloviç. Në Udine sfida nisi më mirë për Torinon. Miqtë arritën të zhbllokonin shifrat pas vetëm 15 minutash lojë me mesfushorin Marco Benassi që i shërbyer nga Belotti ndëshkoi portierin grek të vendasve Karnezis. Por edhe pse e panë veten në epërsi, miqtë nuk arritën të ruanin avantazhin pasi Udinese me dy gola të shpejtë në minutat 60 dhe 70-tën përmbysi shifrat në favor të saj. Fillimisht ishte francezi Cyril Thereau ai që barazoi ndërsa më pas kolumbiani Duvan Zapata shënoi edhe golin e dytë për Udinesen. Por që Torino të mos dilte pa pikë nga ky duel dhe të mos parakalohej nga friulanët në renditje mendoi Adem Ljajiç që në të 77-tën realizoi një gol të bukur për shifrat përfundimtare 2-2.
U rikthye te suksesi pas 2 humbjeve radhazi Cagliari në sfidën që mbylli javën e 11-të të Serisë A. Në Sant’Elia skuadra sarde mposhti 2-1 Palermon duke thelluar krizën e siçilianëve. Një 2 golësh i Daniele Dessenës në pjesën e dytë i mjaftoi Cagliarit për të marrë 3 pikët. Për Palermon golin e vetëm e shënoi maqedonasi Nestorovski.