Bajerni i Mynihut fitoi zyrtarisht titullin në Ingolshtad, por ndryshe nga herët e tjera u mungoi festa e birrës. Kjo për arsye se partneri i Ingolshtadit, birra “Herrnbräu”, nuk lejoi as të shitej dhe as të konsumohej birrën e bavarezëve “Paulaner”. Megjithatë, kampionët nuk i ndali ky rregull, pasi në dhomat e zhveshjes sponsori i Bajernit kishte rezervuar disa shishe për ata. Dushi me birra dhe ngritja e trofeut do organizohet në javën e fundit në “Allianz Arena” kundër Hanoverit.
Pas fitores 2-1 dhe festës së vogël me 1400 tifozët e pranishëm në stadium, autobusi i Bajernit u prit nga mijëra tifozë në Mynih. Sipas protokollit, Bajerni kishte planifikuar festën e vogël të fitores në restorantin e njohur “Südtiroler Stuben” të kuzhinierit bavarez, Alfon Shuhbek, i cili u përgatiti edhe darkën. Menuja e kuzhinierit të famshëm ishte: sallatë, mish viçi, makarona dhe akullore. Para restorantit kampionët e Gjermanisë u pritën nga afro 500 fansa.
Pep Guardiola ishte i shoqëruar nga bashkëshortja Kristina. Gjithashtu festës iu bashkuan si Matias Zamer dhe ish-presidenti Uli Hënes.
Drejtori sportiv nuk ishte i pranishëm për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, ndërsa Uli Hënes qëndroi në Mynih teksa pa nga afër fitoren 97-80 të ekipit të basketbollit kundër Ludvigsburgut. “Shpresoj që në festën e madhe të jetë edhe legjenda Jup Hajnkes. Dua ta takoj patjetër para se të nis punën në Angli. Dua ta falënderoj për gjithçka dhe ia them nga afër dedikimin që i bëra pas ndeshjes. Erdhi koha për të festuar dhe deri në finalen e kupës do të kemi kohë për t’u stërvitur, përgatitur dhe dalë me një triumf tjetër. Ka për të qenë shumë e vështirë, por ne do provojmë shanset tona”, tha Guardiola. Në festë mungoi vetëm Arturo Vidal, i cili udhëtoi në Itali për të parë nga afër djalin e tij. Ndërsa njeriu i surprizave të vona ka qenë Mario Gëce.
Dy orë pas festës (22:00) Gëce, nëpërmjet një videoje në “Instagram” me të dashurën e tij, AnaKatrin Brëmel, tregon se stërvitet ende për… kupën. Kjo është lexuar më shumë si ironi ndaj Bajernit dhe Guardiolës, pasi trajneri e aktivizoi vetëm në 13 takime.