Titulli është i Juves

Pas problemit muskular që pësoi në ndeshjen ndaj Torinos, Dybala është gati të rikthehet për sprintin final të Juventusit në kampionat, me grintën e nevojshme për të arritur te titulli kampion, me argjentinasin që pasqyron siguri për arritjen e misionit. Sulmuesi argjentinas, i cili la përgjysmë derbin me Torinon, më 20 mars, pritet të luajë titullar kundër Palermos së “tij”, sot në “Juventus Stadium”.
“E pamundur të humbasim titullin kampion? Kështu e mendoj edhe unë, do të ishte diçka e pabesueshme. Të gjithë kujtonin se kishim mbaruar në fillim të sezonit, por dëshira që shfaq kjo skuadër edhe në çdo stërvitje të bën të kuptosh se ky titull është i yni”, u shpreh Dybala.
Por sulmuesi argjentinas ka dhe një dëshirë që natyrisht do t’i shkonte për shtat Juventusit, edhe pse realizimi i saj për momentin mbetet një utopi. “Kur pashë Barcelonën që të eliminohej m’u morën mendtë. Me pak më shumë fat kundër Bajernit, këtë vit Champions-i mund të kishte qenë i yni. Gjithsesi, duke parë se janë gjermanët ata që na eliminuan, shpresoj që në fund të festojë Bajerni. Messi është idhulli im, bën gjëra që askush tjetër nuk mund t’i bëjë. Do të doja shumë që të vinte te Juventusi. Tani shpresoj që ta fitojë Bajerni, të paktën mund të ngushëllohemi që u eliminuam nga më të fortët”, u shpreh ai.
Dybala tani mund të japë edhe një përshtypje më të qartë për vitin e tij të parë me fanellën bardhezi, që padyshim mund të cilësohet tejet pozitiv, edhe pse për të nuk ka qenë e lehtë. “M’u desh të punoja shumë për t’u përmirësuar fizikisht dhe psikologjikisht. Të kalosh nga lufta për mbijetesë te Juventusi nuk është e lehtë, pasi këtu as nuk mund të mendosh ta barazosh një ndeshje. Për fat mësova shpejt dhe kërkoj gjithmonë të përmirësohem dhe të rritem. Jam i kënaqur që tani nuk flitet më për faktin që kushtova 40 milionë euro dhe me siguri që mund të jap akoma më tepër”, tha Dybala.
Dybala ka dhe një objektiv personal, të kalojë kuotën e 21 golave të realizuar nga Carlos Tevez, për ta bërë diçka të tillë i duhet të tundë edhe 3 herë rrjetën në ndeshjet e mbetura në kampionat.
“Në këto dy ditë të fundit i kam kryer pa probleme stërvitjet me pjesën tjetër të skuadrës. Ndihem në 100 për qind. Me 6 pikë avantazh, duket e pamundur që ta humbni këtë kampionat… Kështu mendoj dhe unë, përndryshe do të ishte shumë e rëndë. Pa dyshim që ky do të jetë një titull madhështor, sepse kur të gjithë na jepnin për të vdekur, ne ditëm të kthehemi nga ajo botë dhe të rimerrnim me forcë atë që na takonte. Prandaj ky titull është i yni”, u shpreh Dybala.

Exit mobile version