Tjetër avion me drogë ‘kapet’ në Lalëz

Një avion është ulur dje në Gjirin e Lalzit për t’u ngarkuar me kanabis sativa. Ishte deputeti i PD, Asllan Dogjani që deklaroi në sallën e Kuvendit se mbrëmjen e së enjtes ishte ulur një avion në Gjirin e Lalzit për t’u ngarkuar me drogë. “Një avion në Lalëz për t’u ngarkuar me drogë. Sapo u informuam me foto në rrjetet sociale. Avioni tjetër para ca ditësh, pista në Durrës. Në njërën anë procedohen fëmijë me pak gram hashash dhe në anën tjetër, qeveria krenohet me statistika dhe droga derdhet lumë”, deklaroi Dogjani. Në një lidhje telefonike, Dogjani ka konfirmuar se informacionin e ka marrë në rrjetet sociale dhe nga praktika ka dhënë “lajmin” në Parlament. “Unë pashë në rrjetet sociale një avion që ishte hedhur. Iu referova asaj që pashë në rrjetet sociale. Duke u nisur nga praktika, informacionet dhe rasteve të ndryshme. Nuk kam informacion tjetër”, ka thënë Dogjani.
Pas kësaj deklarate ka reaguar Policia e Durrësit, e cila pohon se avioni ka qenë me turistë. Sipas policisë, avioni ka fluturuar nga ora 16:00 deri në 17:00 mbi Gjirin e Lalzit, por nuk është ulur. Po kështu, policia deklaron se avioni kishte plan fluturimi të miratuar nga Aviacioni Civil. “Një avion sportiv turistik ka fluturuar nga ora 16:00 deri në 17:00 mbi Gjirin e Lalzit
Shërbimet e Policisë Lufitare kanë ndjekur avionin nëse do ulej në Gjirin e Lalzit, por nuk është ulur. Avioni sportiv i përket “Viva Air” dhe kishte plan fluturimi të miratuar nga Aviacioni Civil. Avioni kishte itinerar Rinas-Gjiri i Lalzit-Rinas, por pa ndalesë në Gjirin e Lalzit. Gjithë autoritetet policore kanë qenë në gatishmëri nëse avioni do ulej, por avioni nuk është ulur në asnjë vend”, deklaron Policia e Durrësit.
Megjithëse policia mundohet në cdo rast të fshehë gjurmët e avionëve të drogës, në zonën e Shqiërisë së mesme ka të paktën edhe dy pista të tjera avionësh që ngrihen të ngarkur me drogë.

Pista e Ishmit

Në mesin e muajit shtator një avion me drogë në Ishëm. Ky avion ishte i treti transportues i asaj dite që ngarkohej në pistën e Ishmit. Burimet bënë të ditur se, ngarkesa që mbante në bord avioni kishte 2 ton drogë. Ky ka qenë dhe gabimi i trafikantëve. Ata e kanë ngarkuar avionin më shumë se pesha që ai duhet të mbante. Avionë të tillë mbajnë deri në 1.5 ton ngarkesë, ndërsa trafikantët e kanë ngarkuar atë me 2 ton. Ky ka qenë edhe shkaku i rrëzimit të avionit.
Pasi ai ka rënë, trafikantët kanë bërë edhe krehjen e menjëhershme të zonës, duke e transportuar drogën në skafe. Kjo ka qenë edhe arsyeja që policia ka vonuar me tre orë reagimin për avionin e rrëzuar. Është provuar po ashtu se, avioni i pilotit italian, Giudi, nuk ka qenë i pari që ka bërë transportin e drogës drejt Italisë ditën e enjte. Ai ka qenë avioni i tretë i ngarkuar me kanabis. Dy avionët e tjerë kanë fluturuar para tij dhe nuk janë rrëzuar.
Grupi hetimor, ka kërkuar nga Ministria e Transporteve t’i vënë në dispozicion emrat e ekspertëve, të cilët kanë kualifikimin e duhur për të kryer ekspertizën e shkakut të rrëzimit të avionit. Burimet thonë se, pavarësisht kërkesës së organit të akuzës, kjo zyrë në bazë të Kodit Ajror duhet të hetojë shkaqet teknike të rrëzimit të avionit dhe më pas materialet t’i referojnë në Prokurori. Sipas hetuesve, në rastin e pilotit italian Guido Andra Guidi, kemi të bëjmë me incident edhe aksident. Pasi shkelja e hapësirës ajore dhe cënimi i saj nga piloti italian cilësohet si një incident, ndërsa rrëzimi i tij në pistën e sajuar në Gotull është aksident. Për këtë fakt, zyra për hetimin e incidenteve dhe aksidenteve ajrore në Ministrinë e Transporteve është e detyruar të kryejë hetimet konkrete për llogari të saj, pavarësisht kërkesës së Prokurorisë për kryerjen e ekspertizës së shkakut të rrëzimit.

Exit mobile version