Shkëlzen Gashi fiton një tjetër çmim individual në Major League Soccer. Sulmuesi shqiptar ka triumfuar duke bërë të tijin çmimin “MLS Soshies” të dhënë nga Federata amerikane e Futbollit.
Më tepër sesa me paraqitjet në ndeshje, trofeu lidhet me jetën e sportistëve jashtë fushës. “MLS Soshies” është çmimi për futbollistin më popullor në rrjetet sociale, që tërheq më tepër vëmendje nga tifozët sa herë që zhvillohen sondazhe apo edhe me fotografitë dhe videot që publikojnë.
Në edicionin e dytë të këtij çmimi, Gashi u preferua nga fansat përpara disa emrave shumë të rëndësishëm që luajnë aktualisht në Major League Soccer. Pjesë e sondazhit të organizuar nga Federata amerikane e Futbollit ishin edhe yjet e këtij kampionati, si David Villa, Didier Drogba dhe Sebastian Giovinco. Pasi ishte protagonist në kualifikimin e Colorado Rapids deri në finalen e Konferencës së Lindjes, vlerësimet për Shkëlzen Gashin nuk munguan në sezonin që u mbyll në MLS.
28-vjeçari kuqezi u shpall fitues në garën për Golin më të Bukur të vitit në sezonin e rregullt, me rrjetën e realizuar nga goditje dënimi ndaj Vancouver Wihtecaps. Në sezonin e parë në futbollin amerikan me skuadrën nga Denveri, Gashi fitoi edhe çmimin “Këpuca e Artë” te Colorado, si dhe çmimin “Lojtari i preferuar i tifozëve”.