Tjetër edukatore monstër që rrihte sistematikisht fëmijët

Fëmijët në kopshtin “Diren” nuk janë dhunuar vetëm nga administratorja Anjeza Shabani, por edhe nga një edukatore që ka punuar më parë. Ky fakt u zbulua dje nga një tjetër video e denoncuar nga emisioni “Stop”, ku dëgjohej bashkëbisedimi i një edukatoreje me një prind. Edukatorja ndër të tjera tha se fëmijët rriheshin jo vetëm nga Anjeza, por edhe nga një edukatore tjetër që ishte larguar nga kopshti para disa muajsh. Kjo edukatore është Elona Turdiu. Turdiu u mbulonte fëmijëve kokën me çarçaf dhe më pas i godiste që të mos dalloheshin shenjat. Një tjetër zgjidhje për të fshehur shenjat e kuqe në trupin e të vegjëlve ishte përdorimi i një sprai, me të cilin i lyenin fëmijët pasi i rrihnin.
Rriheshin sepse nuk bindeshin, sepse ishin kokëfortë apo sepse hanin me duar. Këto ishin disa nga arsyet e dhunës barbare që ushtrohej ndaj fëmijëve të mitur në kopshtin “Diren”, nga Anjeza Shabani. Një javë pas transmetimit të pamjeve tronditëse në ekranin e televizionit “Klan”, ku Shabani shfaqej duke dhunuar një fëmijë vetëm 3 vjeç, emisioni investigativ “Stop” ka sjellë një tjetër video, të një prej edukatoreve që punonte në këtë kopsht.
Bëhet fjalë për një kamera të fshehtë, ku edukatorja në fjalë pranon dhunën sistematike që i ushtrohej fëmijëve në këtë institucion privat nga administratorja Anjeza Shabani, por jo vetëm. Ajo tregon se edhe një ish-punonjëse, Elona Turdiu, ushtronte gjithashtu dhunë ndaj të vegjëlve dhe rrëfen se dikur “rriheshin masivisht”.
Edukatorja tregon mënyrat që Shabani përdorte për të fshehur dhunën dhe se 3-vjeçari nuk ishte i vetmi fëmijë që dhunohej. Edukatorja konfirmon gjithashtu pasojat e rënda që ka lënë kjo dhunë barbare tek fëmijët, duke sjellë rastin e një të mituri, që po trajtohet nga një psikologe, pasi ngrihet në gjysmë të natës i tronditur e duke ulëritur.

Artikulli paraprakSkandali-Beqja, largoi prodhuesin e ilaçit për ta shitur vetë me 139 euro më shtrenjtë
Artikulli tjetërFrrokaj: Në Shëngjin ka hapësira të lira për plazhet publike