Tjetër kërkesë për hidrocentral në Valbonë

Kompania “SHPRESA-AL” ka aplikuar në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë për ndërtimin e një hidrocentrali të ri në një nga përrenjtë degëzime të lumit Valbonë në Tropojë.
Fuqia prodhuese e HEC do të jetë vetëm 2MW dhe sipas njoftimit që ka bërë Ministria e Industrisë dhe Energjetikës do të ndërtohet në përroin e madh, një degë e lumit të Valbonës në pjesën e poshtë të rrjedhës.
Aplikimi për ndërtimin e objektit u bë në kulmin e debateve në të cilin janë përfshirë institucionet dhe opinioni për shkatërrimin që është duke ju bërë pikës turistike më popullore në vend të turizmit malor, Valbonës nga ndërtimi i HEC-eve pa kriter.
Burimet zyrtare të Ministrisë së Energjetikës bëjnë me dije se, “SHPRESA-AL” sh.p.k., ka aplikuar në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, për miratimin e ndërtimit të hidrocentralit “GEGHYSENI”, me kapacitet prodhues deri në 2MW, në pellgun ujëmbledhës të burimeve të përroit të madh, degë e lumit Valbona, në Bashkinë Tropojë, në Qarkun Kukës.
Aplikuesi shoqëria “SHPRESA-AL” sh.p.k., është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar me objekt të aktivitetit, transport, tregti etj.
Një informacion më i detajuar lidhur me projektin mund të gjendet pranë Drejtorisë së Koncesioneve, Prokurimeve, Shpronësimeve dhe Privatizimit në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Objeksionet ose komentet lidhur me këtë aplikim mund të dërgohen në adresën e mëposhtme brenda 8 ditësh nga data e publikimit të parë, më pas nisin procedurat e dhënies së lejeve.
Ndërkohë që në pjesën e sipërme të lumit Valbona ka nisur puna për ndërtimin e HEC–eve, të cilat nuk kontribuojnë as në 1 për qind të kapaciteteve energjetike që ka vendi sot, teksa po rrezikohet zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm në një zonë që tashmë është pjesë e guidave ndërkombëtare.

Exit mobile version