Tjetër kompani fantazmë italiane në Manzë për plehrat

Miratimi i ligjit që lejon importin e plehrave po nxjerr në dritë të tjera fakte të dyshimta mbi arsyen se përse qeveria Rama e ktheu ligjin që kishte rrëzuar vetë me të ardhur në pushtet.
Këto fakte kanë të bëjnë me tendera e koncesione për përpunimin e mbetjeve në Shqipëri dhe një interesim të kompanive italiane për përpunimin e tyre.
Lapsi.al zbuloi se një kompani italiane ka fituar një tender publik për përpunimin e plehrave në landfillin e Manzës, në Durrës.
Kompania Kinexia me seli në Milano e fitoi tenderin për përpunimin e 1.9 milionë ton mbetjeve në bashkëpunim me kompaninë shqiptare “Albania Landfil Energy”.
Në njoftimin zyrtar të saj thuhet se, për projektin kërkohet një investim prej 20 milionë eurosh. “Volterio Energie S.p.A” që ka në pronësi kompaninë “Kinexia” do të veprojë si kontraktor kryesor.
Kapaciteti i landfillit, prodhimi i energjisë elektrike nga biogazi dhe të ardhurat e tjera që vijnë nga përpunimi i mbetjeve, pritet të gjenerojnë afro 60 milionë euro të ardhura në një plan prej 30 vjetësh.
Plani përmbante fillimin e ndërtimit të landfillit në gjysmën e dytë të vitit 2015, pas nënshkrimit të marrëveshjes me Ministrinë e Mjedisit dhe sigurimit të lejeve të nevojshme.
Ndërsa puna për menaxhimin e landfillit që u shërben të gjitha zonave të Durrësit, është parashikuar për në gjysmën e dytë të vitit 2016.
Siç bën të ditur kompania në faqen e saj zyrtare, synimi i saj do të jetë gjenerimi i energjisë.
Një impiant i ngjashëm do të ndërtohet në Fier, po nga një kompani italiane. “Integrated Technology Services”, me administrator dhe ortak të vetëm Klodian Zoto e njohur si kompani IT-e bashkëpunon në këtë projekt me shoqërinë italiane “Energy 2SRL”.
Opozita publikoi një ditë më parë fakte se kompania që ka fituar tenderin, “Integrated Technology Services”, është regjistruar për këtë shërbim 15 ditë pas shpalljes së tenderit. Koncesioni parashikim edhe djegien e plehrave. PD paralajmëroi se ky është vetëm fillimi i të tjera kontratave për djegien e mbetjeve në Shqipëri.
Se sa ton mbetje do të djegë impianti i Fierit, s’ka të dhëna.
Po ashtu nuk është e qartë nëse impianti që do të ndërtohet në landfillin e Manzës do të djegë plehra të tjera veç atyre që gjeneron Bashkia e Durrësit.
Dhënia e këtyre tenderave përkon me ligjin për importin e plehrave, për të cilin janë ngritur dyshime të forta se u miratua nga Rama për interesa financiare.
Ambientalistë, opinionistë dhe qytetarë ngrenë me të drejtë pyetjen: Përse duhen importuar plehra nga jashtë kur 83% e plehrave që gjeneron Shqipëria nuk arrijnë të riciklohen?
Një dokument i qeverisë Rama i siguruar nga Lapsi.al, i publikuar një ditë më parë (shih rubrikën lajme) tregon se qeveria është në dijeni se Shqipëria përpunohen vetëm 65 milionë e 743 mijë e 870 kilogramë mbetje ose 17% e totalit. Ndërsa pjesa tjetër prej 302 milionë e 984 mijë e 780 kilogramësh mbetje nuk arrin të përpunohet.
Një tjetër kompani italiane, shtetërore, ka nënshkruar një marrëveshje me Bashkinë e Tiranës.
Të gjitha këto vendime janë marrë jo rastësisht para miratimit të ligjit që lejon importin e plehrave.
Edhe qeveria, në dokumentin zyrtar që u dërgon deputetëve Shalsi e Baraj, iniciatorë të ligjit, pranon se importi mund të krijojë stoqe të mëdha plehrash.
Këto stoqe, që qeveria vetë i pranon, me gjasë do të përfundojnë në impiantet e djegies Fier, Elbasan e ndoshta në Manëz të Durrësit.
Por frika e ambientalistëve dhe një pjesë të politikës që është rreshtuar kundër ligjit, është se jo vetëm diegia e plehrave në Shqipëri do të shkaktojë ndotje vdekjeprurëse, por se me mbetjet për riciklim do t’u hapet rrugë mijëra tonelatave të tjera të mbetjeve, kryesisht nga Italia.
Disa media vendase e të huaja e kanë lidhur miratimin e këtij ligji edhe me 5 milionë tonë mbetje italiane që u refuzuan nga Maroku përmes protestash masive.
Në Shqipëri, kjo frikë dhe “tradhëtia” që Edi Rama u bëri qytetarëve me miratimin e ligjit që rrëzoi vetë sapo erdhi në pushtet në shtator 2013, ka shkaktuar një valë reagimesh popullore.
Shumë analistë të majtë, që kanë mbështetur ardhjen e Edi Ramës në pushtet, janë distancuar menjëherë prej tij, duke e akuzuar drejtpërdrejtë si “palaço politik të korruptuar”.
Ndërsa mijëra qytetarë po firmosin një peticion online kundër ligjit dhe janë organizuar në protesta masive këtë të shtunë, në orën 11, përpara zyrës së Edi Ramës.

Artikulli paraprakKush detyrohet të vendosë kamera
Artikulli tjetërKLSH: Doganat dështuan në mbledhjen e 4.1 miliardë lekë borxh