Tjetër koncesion për Beson, pas ARMO-s, merr edhe vendburimin e gazit në Delvinë

Një shoqëri offshore e panjohur, pas të cilës mendohet se qëndron i njëjti grup investitorësh që mori në shfrytëzim ARMO-n, do të jetë pronarja e re e fushës më të madhe të gazit në Shqipëri.  Shoqëria turke Transatlantic Petroleum njoftoi se ka shitur 75 për qind të aksioneve që zotëron në vendburimin e gazit të Delvinës, tek një kompani me emrin Ionian Gas për 12 milionë dollarë. Për blerësin nuk mund të gjenden të dhëna as në njoftimin e shitjes dhe as në internet. PorSYRI.net ka mësuar nga burime konfidenciale, se pas Ionian Gas, qëndron biznesmeni Besnik Sulaj, i njohur si mik shumë i afërt me kryeministrin Edi Rama.
Pak ditë më parë, Sulaj përmes kompanisë tjetër të tij, Ionian Refining and Trading Company arriti të marrë në përdorim rafinerinë e vetme të naftës në vend, atë të ARMO-s. Konçesioni i Delvinës është pasuria e dytë natyrore, që miku i afër i kryeministrit, merr brenda pak ditësh. Për opozitën përqëndrimi me shpejtësi i industrisë hidrokarbure dhe pasurive kombëtare në një dorë nuk është i rastësishëm. Partia Demokratrike ka akuzuar publikisht, se bashkë me Sulajn në këto biznese është ortak edhe Olsi Rama, vëllai i kryeministrit të vendit. Sipas saj, e gjitha kjo është një skemë përmes të cilës, familja e kryeministrit dhe klientët e tij janë duke grabitur pasuritë publike.

Si fshihen borxhet

Në të gjitha transaksionet skema është e njëjta. Kompani ofshore të panjohura dhe pa kapitale, të cilat blejnë ose marrin me qera konçesionet ekzistuese dhe në të gjitha rastet, anashkalohen borxhet e mëdha ndaj shtetit. ARMO ka më shumë se 600 milionë dollarë borxhe, pjesa dërrmuese e të cilave ndaj shtetit si detyrime ndaj organeve tatimore dhe Albpetrolit. Por blerësi nuk ka marrë përsipër asnjë prej borxheve dhe do e shfrytëzojë rafinerinë pa paguar asnjë detyrim. Ashtu si ARMO-n edhe Transatlantic ka dhjetëra milionë dollarë detyrime të papaguara ndaj shtetit. Por edhe këto detyrime do të mbeten jetime. Vendburimi do të shfrytëzohet nga blerësit e rinj, kurse qytetarët nuk do të arkëtojnë asnjë lekë nga shfrytëzimi i pasurive të tyre kombëtare.

Afera me ARMO

Ionian Refining dhe Trading Co. -IRTC SH. A., një kompani e regjistruar vetëm dy muaj më parë do të jetë shfrytëzuesja e rafinerisë së vetme në vend, ARMO. Lajmin e ka bërë publik Bankers Petroleum, e cila njoftoi se nga 1 tetori deri në 31 dhjetor do të shesë 65 për qind të prodhimit tek kjo kompani, për t’u përpunuar në dy rafineritë, atë të Fierit dhe Ballshit. “Bankers Petroleum Ltd ka kënaqësinë të deklarojë nënshkrimin e një marrëveshjeje të kushtëzuar në tregun vendas me Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A (IRTC). Sapo të bëhet efektive, Bankers të shesë deri në 65% të prodhimit të naftës bruto në bazë të kësaj marrëveshjeje”, njoftoi Bankers Petroleum Kompania do të marrë garanci pagese në avancë për ngarkesat e naftës bruto. Në përputhje me marrëveshjen, ngarkesat e naftës do të shiten gjatë periudhës 1 tetor 2016- 31 dhjetor 2017. Marrëveshja e Bankersit me zotëruesit e rinj të ARMO-s nuk është e rastësishme.
Burime konfidenciale i thanë Syri.net se e gjithë lufta e qeverisë ndaj kompanisë kanadeze ka qenë pikërisht për të detyruar atë të hyjë në marrëveshje tregtare me kompaninë Ionian Trading, e cila zotërohet nga njerëz të afërt me kryeministrin. Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH. A., është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në 13 qershor të vitit 2016. Kompania rezulton e regjistruar offshore në Ishujt Britanikë Virgin. Por si përfaqësues i saj shfaqet Taulant Musabelliu, një njeri i lidhur me biznesmenin Besnik Sulaj, i njohur për lidhjet e tij të ngushta me kryeministrin Edi Rama. Musabelliu ka qenë administrator i kompanisë “Sulaj Progres Group”, i zotëruar nga biznesmeni Sulaj dhe tani shfaqet si administrator në kompaninë Ionian Refining që do të shfrytëzojë ARMO-n.
Ende mbetet e paqartë procedura përmes, të cilës kjo kompani ka marrë ARMO-n. Ministria e Energjisë, e cila zotëron 15 për qind të aksioneve nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar. Ajo që dihet është se rafineria e cila deri dje ka qenë e bllokuar është marrë me qera, në një marrëveshje që përfshin bankat, qeverinë dhe Tatimet. Rafineria ARMO është një nga kompanitë më problematike në Shqipëri, teksa është kreditori më i madh i vetëm i keq në banka dhe ka një mal me detyrime ndaj shtetit dhe të tretëve. Në fund të tremujorit të parë të 2016-ës, detyrimet e kompanisë ARMO në total kanë arritur në 595 milionë dollarë sipas burimeve në Ministrinë e Energjetikës, një shumë kjo që është gati sa 5% e prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Të njëjtat burime bëjnë me dije se, nga totali i detyrimeve afërsisht 300 milionë dollarë janë kredi bankare dhe pjesa tjetër e borxheve ndahet ndërmjet Albpetrol-it, tatim-taksave, të tretëve dhe punonjësve, ku vetëm shtetit i ka të paktën 100 milionë euro.

Exit mobile version