Tjetër koncesion për përpunimin e naftës

Një rafineri e re për përpunimin e naftës bruto do të ndërtohet në Balldren të Elbasanit. Qeveria i ka dhënë lejen koncesionare kompanisë “RBH Beline”, e cila tashmë është regjistruar edhe në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.
Vendimi është botuar dje në Fletoren Zyrtare dhe vjen në një kohë kur interesi për të përpunuar naftën vendase është shtuar dukshëm. Për shkak të cilësisë së dobët dhe çmimit të ulët, nafta e prodhuar në vend po përballet me një kërkesë të ulët në tregun ndërkombëtar, ndaj kompanitë që nxjerrin naftën në Shqipëri për momentin kanë interes ta shesin në tregun e brendshëm.
Kompanitë të lidhura me sektorin tashmë e kanë rritur kërkesën për të hapur impiante të përpunimit të naftës në vend dhe Ministria e Energjetikës ka dhënë të paktën dy leje deri më tani. Por nga ana tjetër vihet në dyshim teknologjia dhe se si do të funksionojnë këto kompani, pasi naftës vendase që të kapë standardët e eurodiezielit i duhet një kartë teknologjike e avancuar, të cilën ende nuk kanë sjellë në Shqipëri asnjë nga impiantet e përpunimit.
Afati i vlefshmërisë së licencës së koncesionit 30 vjet me të drejtë përsëritjeje, pas miratimit të saj nga Këshilli i Ministrave, thuhet në vendimin e qeverisë.
Objekti ka përfunduar ndërtimin në bazë të lejes së ndërtimit nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit. Afati i vënies në përdorim është 31.12.2016. Këshilli i Ministrave ka të drejtë revokimin e kësaj licence kur nga kontrollet e ushtruara nga organet dhe institucionet shtetërore, të ngarkuara me ligj, konstatohet dështimi i përmbushjes së kërkesave të licencës së koncesionit për rafineri, në zbatimin e parametrave teknikë, në afatin e realizimit të projektit dhe të normave mjedisore; Kapaciteti dhe kategoria e produkteve që do të prodhojë rafineria.
Kapaciteti i përpunimit të naftës bruto është 600 tonë/24 orë. Produktet që do të prodhojë rafineria janë të përshkruara në kartën teknologjike të lëshuar nga iSHTI-ja, bashkëlidhur licencës, e cila është pjesë e integruar e saj.
Shoqëria aksionere “RBH Beline”, pas miratimit të kësaj licence koncesioni duhet të paguajë tarifën e licencimit sipas legjislacionit në fuqi. Licenca e koncesionit është e vlefshme vetëm pas pagesës së tarifës së licencimit.
Shoqëria aksionere “RBH Beline” pas miratimit të kësaj licence koncesioni, në zbatim të kërkesave të nenit 9, të Ligjit nr. 8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, ka detyrim mbajtjen e rezervës së sigurisë, sipas kushteve shoqëria aksionere “RBH Beline” në rastin e ndryshimeve në skemën dhe kartën teknologjike të funksionimit të rafinerisë, si dhe për markën e cilësinë e nënprodukteve të naftës të prodhuara nga rafineria, duhet të zbatojë përcaktimet e nenit 12, të Ligjit nr. 8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar.

Artikulli paraprakCredins blen 54 troje të ARMO-s për 25 milionë USD
Artikulli tjetërShqipëria me humbjet më të mëdha të energjisë në rajon