Vilma Nushi, e cila ka fituar tenderin e check up-it dhe disa të tjerë, vazhdon të fitojë me sukses tendera të rinj në Ministrinë e Shëndetësisë. Tani afër, Nushi ka fituar edhe tenderin mbi 1 miliard lekë të vjetra, atë të furnizimit me materiale mjekësore për shërbimin e ortopedisë së spitaleve rajonale. Tenderi është fituar nga Nushi nëpërmjet kompanisë “TRIMED”, ku është 50% aksionere, së bashku me Shani Peposhin, 50% të tjera. Nushi e ka fituar këtë tender, në bashkëpunim me “Layo shpk”, të Vasil Llajos. Vlera e saktë e tenderit është 105.523.936 lekë. Por si ka ndodhur që këtë tender ta fitojë “TRIMED”? Fare thjeshtë: Edhe pse në garë kanë shfaqur interes edhe 4 kompani të tjera, ato janë tërhequr pasi nuk kanë paraqitur ofertë ekonomike dhe dokumentet e kërkuara. Mjetet e ortopedisë që do të lëvrohen brenda 2 vjetëve përfshijnë spitalet më të rëndësishëm në vend: Shkodër, Fier, Elbasan, Vlorë, Lezhë, Gjirokastër dhe Sarandë. Emri i Vilma Nushit përmendet shpesh vitet e fundit në media, që kur ministri Ilir Beqaj, i hapi rrugë garës për tenderin e një koncesioni të majmë, 120 milionë euro. Ky koncesion ishte i pari i dhënë për një shërbim bazik të shëndetësisë shqiptare. Parashikonte zgjedhjen e një kompanie që do të kryente kontrollin parësor shëndetësor për moshat 40-65 vjeç në të gjithë vendin. Vilma Nushi është një ortake e vjetër e Ramës, e lidhur fort me ish-nomenklaturën komuniste dhe përherë ka përfaqësuar një linjë biznesi gjysmë zyrtare të Partisë Socialiste. Bizneset e Nushit kanë njohur gjithnjë rritje të skajshme në përfitimin e fondeve publike, sa herë që kontrollin e qeverisë e merr Partia Socialiste.
Kështu ndodhi dhe me koncesionin e paprecedent të shërbimit parësor shëndetësor, i njohur ndryshe dhe si koncensioni i check up. Tenderi i Ministrisë së Shëndetësisë për ekzaminimet check up i dhënë përfshin në një megaskandal prej 120 milionë eurosh, Kryeministrin Rama, ministrin Beqaj dhe pronaren e kompanisë së favorizuar Vilma Nushi, sponsorizuese e Partisë Socialiste. Bëhet fjalë për fushatën e nisur në muajin shkurt të vitit 2015 prej Ministrisë së Shëndetësisë për check up-in (kontroll mjekësor), për të cilin ministria kishte shpallur një tender të posaçëm ku ftonte kompanitë e specializuara në fushën e shërbimeve shëndetësore që të bëheshin pjesë e tenderit për të paraqitur ofertat e tyre. Check up-i do të kushtojë rreth 120 milionë euro për 10 vjet. Kompania fituese rezulton të jetë e Vilma Nushit, e njohur si sponsore e Partisë Socialiste. Sipas buletinit të Agjencisë së Prokurimit Publik rezulton se fituese është kompania “Marketing&Distribution” që jo vetëm nuk ka lidhje me fushën e shëndetësisë, por që ka paraqitur edhe ofertën më të lartë ndaj këtij shërbimi. Ndërkohë që ministria ka skualifikuar kompani të tjera të specializuara në fushën e shëndetësisë dhe që kanë paraqitur një vlerë shumë herë më të vogël se sa ajo e kompanisë fituese, me një diferencë prej 120 milionë lekësh.
A.Shahini