500 komisionerë të PS, por edhe qindra votues të majtë u lejuan të futen nga Greqia për të votuar dhe nuk u karantinuan, ashtu siç vendosi Komisioni i Ramës për emigrantët.
Në mbledhjen e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), përfaqësuesi i LSI-së, Altin Kaziaj, tha: “Kërkojmë shpalljen e pavlefshme të rezultatit në Bashkinë Dropull e për rrjedhojë në të gjithë Qarkun Gjirokastër. Kemi të bëjmë me shkelje të lirive sa i takon të drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Kjo shkelje ka ardhur nga vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë që vendosi karantinën e detyrueshme 14-ditore. Pa u futur në Fletoren Zyrtare, janë marrë masa që të mos lejohen qytetarët të vijnë në Shqipëri. Ndërkohë që shumë qytetarë të tjerë, të paktën 500, hynë nga pikat e kalimit kufitar të jugut dhe nuk u karantinuan sipas urdhrit. Këta kanë qenë komisionerë të PS-së. Ka qenë vetë ministri i Brendshëm, i cili ka ndikuar në nxjerrjen e këtij urdhëri të jashtëligjshëm”.
Ministri Bledi Çuçi kandidonte vetë në Gjirokastër dhe arriti të fitonte mandatin e deputetit.
“Qytetarët nuk ushtruan dot të drejtën kushtetuese në këtë bashki dhe kjo ndikoi në mandatin e parë të LSI-së në këtë qark. Kjo ka çuar në humbjen e mandatit të përfaqësuesit tonë në atë qark. Urdhri ka pasur për qëllim goditjen e LSI-së”, shtoi Kaziaj.
Në fund, Kaziaj ftoi KAS-in të merrte në shqyrtim kërkesën e LSI-së për marrjen e informacionit për personat që kanë hyrë nga sistemi TIMS.