Një nga përkrahësit më të mëdhenj të Shqipërisë dhe sistematikisht partizan i flaktë i avancimit të shpejtë të vendit tonë drejt BE-së, deputeti i Bundestagut Thorsten Frei, shfaqet teje i zhgënjyer për atë çfarë po ndodh në vendin tonë.
Dikur një nga shtytësit më të mëdhenj për hapjen e negociatave mes BE-së dhe Shqipërisë, ai sot ka humbur besimin te Shqipëria zyrtare dhe nuk e fsheh lëndimin, për sulmet e pa precedent të orkestruara nga mediat pranë qeverisë në Tiranë ndaj kolegut Krichbaum.
Deputeti i njohur, i cili i përket partisë, CDU/CSU Thorsten Frei, deri pak kohë më parë ka qenë një nga zërat më aktivë mbi procesin e hapjes së negociatave të Shqipërisë, por duket se pas zhvillimeve të fundit dhe informacioneve të detajuara që i kanë mbërritur Bundestagut, edhe ai është futur në radhët e “skeptikëve”.
I kontaktuaR nga gazeta “Shekulli” dhe i pyetur në lidhje me avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe reformave të përmbushura deri më tani, Frei përveç të tjerave ka rezerva edhe për atë që kryeministri Rama e tund si arritje të madhe; Vettingun.
Në fund të analizës së tij pesimiste dhe zhgënjyese Frei lëshon edhe një deklaratë teje ogurzezë për Tiranën zyrtare; Gjermania nuk do të lejojë, me çdo çmim që të jetë, hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian pa u plotësuar dhe përmbushur të gjitha kriteret e Kopenhagenit”.
Reagimi i plotë i deputetit Thorsten Frei
“Problemi kryesor është së politika Shqiptare implementon nën presion nga komuniteti ndërkombëtar vetëm reformat e domosdoshme. Në letër, Shqipëria ka një nga sistemet konstitucionale më të mira në Europë. Por fatkeqësisht vetëm në letër.
Në përgjithësi, korrupsioni është akoma i përhapur. Procesi i Vettingut po ecën shumë ngadalë, vetëm një grusht i vogël gjykatësish janë kontrolluar gjatë procesit. Ka shumë lidhje të pazgjidhura midis qarqeve të larta drejtuese dhe krimit të organizuar. Politikanët shqiptarë ndikojnë mbi njerëzit kurdoherë që të jetë e mundur.
Për shembull, në procesin e marrjes në punë në sektorin publik. Fatkeqësisht, dikush ka mendimin se reformat janë bërë vetëm si rrjedhojë e kërkesës së Bashkimit Europian dhe sepse Bashkimi Europian e kërkon këtë gjë.
Me pak fjalë, unë e kam humbur besimin që politikanët po e ndërtojnë axhendën e tyre sepse reformat janë të mira për vendin e tyre dhe për të gjithë popullin në Shqipëri. Aksidentalisht, unë gjithashtu kam humbur stilin e nevojshëm politik për t’u marrë me politikanët shqiptarë.
Kjo nënvizohet edhe si pasojë e sharjeve dhe fyerjeve ndaj kolegut tim Gunter Krichbaum, po aq dhe nga sjellja e qeverisë dhe përfaqësuesve të opozitës në parlament. Në vend të politikës konstruktive, diskretitimi dhe tallja ndaj opinioneve të kundërta është bërë shpesh shënjestër e goditjeve të pakuptimta.
Me respekt të thellë e them se, është vetëm në dorë të Shqipërisë të vazhdojë rrugën në drejtim të Bashkimit Europian. Gjermania nuk do të lejojë, me çdo çmim që të jetë, hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian pa u plotësuar dhe përmbushur të gjitha kriteret e Kopenhagenit”.