Sergio Ramos ishte një nga protagonistët e Real Madridit në ndeshjen e parë të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve, kundër Romës. Kapiteni i “Los Blancos” ka tejkaluar një rekord, që e ndante me Paul Scholes deri në minutën e 23-të të sfidës së të mërkurës në “Santiago Bernabéu”.
Sidoqoftë, Real Madridi nuk duhet të jetë shumë i kënaqur me statistikat e qendërmbrojtësit dhe liderit të vet. Sepse bëhet fjalë për “ndëshkime”. Ish-mesfushori i Manchester United, Paul Scholes, e përfundoi karrierën e tij me 36 kartonë të verdhë, numër i njëjtë sa kishte Sergio Ramos deri dje.
Tashmë, kapiteni i kombëtares së Spanjës ka rekordin e tij në këtë drejtim, me plot 37 kartonë të verdhë. Një goditje e N’Zonzi në minutën e 23-të i ka kushtuar atij kartonin e verdhë, i treguar nga gjyqtari holandez, Bjorn Kuipers. Ky i fundit nuk ka hezituar edhe ta paralajmërojë kapitenin e Real Madridit.
Një tjetër rekord i errët
Nuk është rekordi i parë i këtij lloji që thyen qendrori andaluzian. Në dhjetor 2017 ai u bë lojtari më i ekspozuar karshi ndëshkimeve të arbitrave në historinë e La Liga-s, kur pa kartonin e tij të kuq të 19-të në një ndeshje të luajtur kundër Athletic. Ai e tejkaloi kuotën “18”, që Pablo Alfaro dhe Aguado kishin regjistruar, gjithashtu, sa iu përket kartonëve të kuq në karrierë.