Tjetër rekord i zi, 114 viktima nga virusi brenda javës, Rama vazhdon të bëjë show

Në Shqipëri, java e fundit shënoi nivelin më të lartë të viktimave nga COVID 19. Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës tregojnë se në 7 ditët e fundit (16 Shkurt-22 Shkurt) kanë humbur jetën 114 persona. Deri më tani numri më i lartë i vdekjeve ishte rregjistruar në javën e parë të Dhjetorit me 112 viktima.

Mesatarja ditore e vdekjeve në javën e fundit ka qenë prej 16 personash që kanë humbur jetën. E premtja e shkuar ka qenë dita me humbjet më të mëdha të jetës, 19 të vdekur, ndërsa e diela dita me më pak, 13 viktima. Në 24 orët e fundit, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, kanë humbur jetën 15 persona, mes tyre dhe një 18 vjeçar: 6 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Fieri, 2 qytetarë nga Kavaja, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Mirdita, 1 qytetar nga Lushnja, 1 qytetar nga Delvina, 1 qytetar nga Pogradeci, të moshave 18-77 vjeç.

E përkeqësuar dhe situata në spitale, ku numri i të shtruarve ka ardhur në rritje progresive. Ndërsa në fund të javës pararendëse (9 Shkurt-15 Shkurt) kishte 547 pacientë, të dhënat e 24 orëve të fundit tregojnë se numri I tyre ka arritur në 656 të shtruar, ose gati 20 përqind më shumë. Krahasuar me dy javë më parë, numri i pacientëve është rritur me afro 46 përqind. Përkeqësimi i situatës detyroi autoritetet që të hënën e shkuar të vinin në dispozicion të të sëmurëve me COVID 19 edhe dy spitalet rajonale të Shkodrës dhe Durrësit.

Paralelisht me shtimin e të shtruarve është rritur dhe numri i pacientëve në gjendje të rënduar. Deri pasditen e sotme rezulton se në terapi intensive janë 32 pacientë, ndërsa 16 të tjerë janë të intubuar. Krahasuar me të hënën e kaluar (15 Shkurt) numri i të sëmrëve në gjendje kritike është dyfishuar.

Sa i përket rasteve të reja, ato kanë shënuar një rënie fare të lehtë, thuajse në të njejtat kuota në të cilat janë ulur dhe testimet. Në total gjatë javës së fundit janë konfirmuar 7435 raste të reja nga 26.772. Po ashtu dhe mesatarja e pozitivitetit (raporti mes testimeve dhe rasteve të konfirmuara) ka qëndruar në të njejtat nivele, me ato të javës pararendëse 27.7 përqind. Megjithate në 24 orët e fundit, pozitiviteti ishte në kuota shumë më të larta, 31.8 përqind.

Exit mobile version