Shqipëria vendosi një rekord të ri për çmimin e karburanteve, duke hyrë në listën e dhjetë vendeve me çmimin më të lartë të naftës. Të dhënat e fundit të publikuara nga “Global Petrol Prices”, tregojnë se aktualisht një litër naftë në Shqipëri kushton 1.69 dollarë, duke e renditur vendin tonë të dhjetin për nga çmimi i lartë i naftës.
Sipas Global Petroleum Prices, 9 shtetet e tjera që kryesojnë për nga çmimi I naftës, janë gjithashtu dhe vendet më të pasura të botës si Islanda, Norvegjia, Monako, Hong Kong etj.
Përjashtim në klubin e atyre që paguajnë çmime rekord për karburantet përbën vetëm Shqipëria, e cila zyrtarisht është vendi më i varfër i Europës.
Rritja vazhdon
Ditët e fundit, çmimi i naftës në tregun vendas është rritur me 5-6 lekë për litër duke arritur rreth 180 lekë për litër. Por kjo duket se nuk do të jetë kostoja e vetme për qytetarët, pasi rritja mund të vazhdojë.
Pas tre vitesh në nivele të ulëta, çmimet e naftës bruto kanë hyrë në një valë të fortë rritje, që po reflektohet edhe në pikat me pakicë të karburanteve.
Banka Botërore deklaroi se çmimet e naftës në tregjet globale do të vazhdojnë të rriten më tej gjatë këtij viti për shkak të rritjes së kërkesës, rënies së prodhimit nga OPEC dhe shqetësimeve për sanksione të reja mbi Iranin.
Në buletinin e fundit për çmimet e lëndëve të para, Banka vëren se krahasuar me një vit më parë, çmimi i një fuçie nafte është rritur me 22.6 për qind, ndërsa krahasuar me pikun më të ulëta që u shënua në vitin 2016 ato janë dyfishuar.
Sipas Bankës rritja e çmimit të karburanteve në tregjet globale do të vazhdojë. Shqipëria është një nga vendet, ku rritja e çmimit të naftës në bursë përcillet me shpejtësi rekord, ndërsa ulja përcillet vetëm pjesërisht.
Shkaku se pse qytetarët shqiptarë paguajnë çmimet më të larta në botë janë pikërisht taksat e larta mbi këtë produkt, të cilat veçanërisht në 4 vitet e fundit janë rritur me disa fish.