Tjetër shans i humbur për James

James Rodriguez ishte një nga protagonistët e mëdhenj të sfidës mes Leganes dhe Realit të Madridit që u fitua me rezultatin 2-4 nga Los Blancos. Mesfushori kolumbian ishte autori i golit të parë që zhbllokoi ndeshjen pas një inkursioni fantastik të Asensios. Por pavarësisht golit rendimenti i yllit të Los Cafeteros ishte i ngjashëm me atë të sfidave të fundit përpara merkatos së janarit sepse gjatë këtij viti paraqitjet e James kanë qenë disi më pozitive. Dëshira e numrit 10 është të shkëlqejë me Realin, por ankthi për të bërë mirë sa herë që i jepet mundësia për të luajtur titullar nga trajneri Zidane po e shtyn James Rodriguez-in të gabojë shumë dhe të humbasë pikë në sytë e teknikut francez.
Ndryshe nga kolumbiani në sfidën e javës së 30-të të La Ligas ndaj modestëve të Leganes, takim në të cilin Reali kishte shumë mungesa, emra të tillë si Morata, Asensio, Vazquez dhe Kovaçiç, shkëlqyen duke lënë shenjën e tyre dhe duke u treguar të gjithëve se e meritojnë të qëndrojnë te Los Blancos edhe sezonin e ardhshëm. 25-vjeçari kolumbian ndërkohë është ndër emrat e parë në listë që mund t’i japë lamtumirën klubit merengues në verë. James kërkohet nga Liverpooli, por edhe nga Interi e Manchester United. Fakti që Rodriguez nuk ndihet më i lumtur në Madrid u kuptua edhe në momentin kur Zidane e zëvendësoi në minutën e 72-të të ndeshjes me Iscon. James në momentin që u ul në stolin e rezervave shfaqi gjithë irritimin e tij, një tjetër shenjë se e ardhmja e mesfushorit amerikanojugor do të jetë larg Madridit.

Exit mobile version