Zbulohen të tjera detaje lidhur me Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Gazetarja e televizionit ‘Ora News’ Alba Kepi, në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “360 Gradë” të Artur Zhejit, tha se vëllai i ministrit ka hyrë në Itali me identitetin e tij të mëparshëm, pra Agron Xhafaj dhe me emrin që ka zyrtarisht në Shqipëri aktualisht, Geron Xhafaj.
Sipas gazetares, kjo përbën një tjetër skandal ndërsa thotë se ka qënë në interes të Xhafajt të paraqitej me emrin e mëparshëm.
“Unë kam patur një konsulencë me një avokat të urdhrit të Romës, për të kuptuar më shumë mbi këtë situatë. Ai më ka sqaruar se skandali brenda skandalit për këtë çështje është pikërisht identiteti i dyfitshtë i zotit Geron Xhafaj. Nëse ai ka vendosur t’i dorëzohet autoriteteve italiane, ai ka hyrë në territorin italian me emrin me të cilin është dënuar, pra me emrin Agron Xhafaj.
Dhe në momentin që ai ka kapërcyer kufirin është ndaluar nga policia italiane, kjo do të thotë që ka hyrë në territorin italian, nëse ka hyrë, me dokumentet me emrin Agron Xhafaj. Vendodhja e një personi të dënuar, u bëhet vetëm familjarëve apo avokatëve.
Vazhdoj llogjikën që nisa, është mjaft e rëndësishme mënyra si ka hyrë, me çfarë identiteti ka hyrë, dhe sipas konsulencës që pata është në interes të Xhafajt të hyjë me identitetin Agron dhe jo Geron Xhafaj”, tha gazetarja Kepi.
Pikërisht në këto momente Zhejit i mbërrin një mesazh në celular, sipas tij një burim mjaft i sigurt i cili thoshte se Agron Xhafaj ndodhet në burgun e Civitavechia-s në Itali.