Zona përreth “Selman Stërmasit” në Tiranë, pjesë e të cilës është edhe fusha sportive në krah si pjesë e aneksit të stadiumit, është ndër të paktat hapësira të kryeqytetit që nuk e ndjen hijen e kullave të larta dhe ndërhyrjen agresive të betonit. Pavarësisht disa ndërtimeve, ende përreth stadiumit, rrugët e gjëra janë ruajtur sipas projektit fillestar, ndërsa fusha sportive qëndron e paprekur duke mbajtur gjallë shpresën se një ditë mund t’i rikthehet funksionit të parë për stërvitjen e sportistëve.
Por duket se kjo panoramë do të ndryshojë së shpejti. Ndërtuesit, që në këtë hapësirë publike shohin një truall ku mund të nxjerrësh miliona euro fitime, duket se e kanë mbyllur pazarin në bashkinë e Tiranës.
Një dokument që ka siguruar Lapsi.al tregon se bashkia dhe qeveria janë gati t’i hapin rrugë betonizimit, ngritjes së kullave dhe godinave të ndërtimit, madje duke falur mijëra metra tokë publike, në si pjesë të atij që e quan “projekti i rijetëzimit të stadiumit Selman Stërmasi”.
Projekti është detajuar në një dokument që pritet t’i dërgohet për miratim Këshillit Bashkiak të Tiranës. Në këtë dokument propozohet kalimi i pronave nga bashkia e Tiranës, tek Korporata Shqiptare e Investimeve, e cila ka gjetur një ndërtues që është gati të investojë për stadiumin “Selman Stërmasi” dhe për pallatin e sportit “Asllan Rusi” në këmbim të tokës falas në zonat më të shtrenjta të Tiranës.
Prona publike që falet në të dy hapësirat sportive do të shërbejë për ndërtimin e kullave apo godinave shumëkatëshe që përfshijnë dyqane dhe biznese. Të paktën tek stadiumi Selman Stërmasi, bëhet fjalë për ndoshta zonën më të shtrenjtë të Tiranës, vlera e të cilës është thuajse 3 mijë euro metri katror.
Gjasat janë që të kemi një stadium tjetër me kullë, por në rastin e Selman Stërmasit ndërtimi mund të bëhet në fushën përkrah stadiumit, që jo rastësisht është lënë pas dore për t’u shndërruar në një aneks balte dhe shkurresh.
Pikërisht ky degradim i stadiumit “Selman Stërmasi” dhe pallatit të sportit “Asllan Rusi” përmendet si justifikim për faljen e truallit tek privati në dokumentin që ka siguruar Lapsi.al.
“Stadiumi “Selman Stërmasi” dhe Pallatin i Lojërave me Dorë “Asllan Rusi”, janë struktura të vjetëruara dhe të degraduara të cilat paraqesin nevojën për investime të rëndësishme” shkruhet në dokument.
Bashkia ndërkohë ka nisur nga puna dhe ka kryer matjet për të dy projektet, ende pa marrë miratimin e Këshillit Bashkiak. Rezulton se tek stadiumi Selman Stërmasi janë gjithsej 27 mijë metër katror hapësira, ndërsa tek stadiumi “Asllan Rusi” janë rreth 14 mijë metër katror. Kuptohet se vetëm një pjesë do të jetë për ndërtim.
“Vendndodhja e këtij objekti është në një zonë shumë të favorshme në qendër të Tiranës, duke krijuar premisa për krijimin e partneriteteve të nevojshme për realizimin e projektit të investimit pa shpenzime nga ana e Bashkisë Tiranë, por me përfitime të shumta ekonomike dhe sociale për komunitetin, bazuar në një model biznesi “win-win” shkruhet në dokument.
Korporata Shqiptare e Investimeve pranon se projekti parashikon “zhvillimin dhe rijetëzimin e kësaj hapësire duke e kthyer në qendër multifunksionale”.
Aty ku rilindasit përdorin gjuhën e drunjtë të “rijetëzimit” dhe të ngritjes së një “qendre multifunksionale”, nënkuptohet kulla e radhës që në këtë rast do të ngrihet mbi truall publik. Gjasat janë që kjo të ndodhë në fushën përbri stadiumit, që është pjesë e aneksit.
Flirti i rilindjes me kompanitë e ndërtimit që u falet tokë publike ka nisur vite më parë. Me të njëjtën formulë u rindërtua edhe stadiumi “Qemal Stafa”, ndërsa në zona të ndryshme të Tiranës, bashkia dhe qeveria kanë falur rregullisht tokë publike për kompanitë e ndërtimit duke marrë në këmbim disa zyra.
Njësoj, socialistët tentuan rindërtimin e teatrit Kombëtar kur kompanisë Fusha iu fal trualli sipas një projekti që parashikonte ngritjen e teatrit me kullë, në bazë të një ligji special.
Ligji u tërhoq pas protestave, të cilat nuk ndalën dot prishjen e teatrit apo faljen e truallit për ndërtimin e kullës pas tij. /Lapsi.al