Tjetër tragjedi në ujërat shqiptare. Dy fëmijë të mitur janë mbytur pasditen e djeshme në ujërat e liqenit të Shkodrës në vendin e quajtur Grilë, teksa kishin hyrë për t’u larë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur orës 16:00, kur dy kushërinjtë me inicialet E.T, 13 vjeç dhe S.T. 15 vjeç, banues në fshatin Gruemirë kanë humbur jetën teksa po laheshin në liqen.
Bëhet e ditur se, fëmijët kishin hipur në një varkë të vogël së bashku me 5 persona të tjerë dhe kur kanë arritur në thellësi janë hedhur në ujë për t’u larë. Varkën e ka marrë rrjedha e liqenit dhe 5 shtetas kanë arritur të dalin në breg, ndërsa dy të miturit nuk kanë mundur të shpëtojnë. Shërbimet e Policisë së bashku me disa banorë të fshatit rreth orës 17:45 kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupave të pajetë nga liqeni dhe dërgimin e tyre në morgun e Spitalit të Shkodrës.
Policia bëri të ditur në përmjet një njoftimi për shtyp se, rreth orës 16:00, ka ardhur një telefonatë në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe se në liqenin e Shkodrës, në vendin quajtur Grilë, territor i Malësisë së Madhe, janë mbytur në liqen dy fëmijë. “Menjëherë kanë shkuar shërbimet e policisë në vendngjarje ku ka rezultuar se ishin mbytur shtetasit E.T.,13 vjeç dhe S.T. 15 vjeç, banues në fshatin Gruemirë. Nga informacionet paraprake mësohet se 7 shtetasit ishin futur në liqen ku kishin hipur në një varkë të vogël dhe kur kanë arritur në thellësi janë hedhur në ujë për t’u larë. Varkën e ka marrë rrjedha e liqenit, ku 5 shtetas kanë mundur të dalin në breg të liqenit, ndërsa dy shtatasit e lartpërmendur janë mbytur. Shërbimet e Policisë së bashku me disa banorë të fshatit rreth orës 17:45 kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupave të pajetë nga liqeni. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.
Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe deputeti i PD në Qarkun Shkodër, Bardh Spahia. Nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, Spahia akuzon qeverinë për ngjarjet e ndodhura këtë sezon të verës, ku janë mbytur dhjetëra pushues për shkak të mungesës së sigurisë në plazhe dhe në zonat turistike. Sipas Spahisë, këto ngjarje janë shfaqja e përditshme e papërgjegjshmërisë totale të qeverisë Rama.
Brenda kësaj jave, 5 persona janë mbytur mes tyre 4 fëmijë. Një ditë më parë një 10-vjeçare u mbyt në ujërat e detit të Zvërnecit, teksa ishte futur për t’u larë në det me nënën dhe motrën e saj. Ndërkohë në të njëjtin plazh, vetëm një muaj më parë u mbytën 3 persona, njëri prej të cilëve Benjamin Ferati nga Maqedonia, i cili ishte futur në det për të shpëtuar dy vajza.
Po ashtu, para tre ditësh u mbyt një 14-vjeçar në lumin Shkumbin në Librazhd. Ndërsa para disa ditësh, një i moshuar nga Kosova u mbyt në Velipojë, ndërsa një 12-vjeçar në plazhin e Divjakës.
Me humbjen e jetës së dy fëmijëve në liqenin e Shkodrës shkon në 25 numri i të mbyturve gjatë këtij sezoni turistik. Kjo është një shifër tepër e lartë po ta krahasosh me vendet e Europës. Janë jetë njerëzish që ikin çdo ditë në kushtet e turizmit që ofron kjo qeveri. Qeveria harxhon miliona lekë me broshurat e promovimit, ndërsa nuk investon asnjë lek dhe nuk merr asnjë masë për sigurinë e jetës së njerëzve.
Pushimet janë kthyer në ferr për pushuesit në të gjitha zonat turistike. Mungesa e rojeve të plazhit dhe ndihmës së parë është kthyer vdekjeprurëse për shumë pushues. Në disa raste kanë qenë pushuesit që kanë ndihmuar të gjendurit në vështirësi, për shkak se kullat e vrojtimit mungojnë në çdo plazh të Shqipërisë. Vazhdimisht është ngritur shqetësimi nga qytetarët se mungojnë rojet e plazhit që do ta bënin bregdetin më të sigurtë dhe më me pak incidente.
Mbytja e dy fëmijëve, Spahia: papërgjegjshmëri e qeverisë
Deputeti i PD në Qarkun Shkodër, Bardh Spahia ka reaguar për ngjarjen e rëndë që ndodhi në liqenin e Shkodrës ku u mbytën dy fëmijë. Nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, Spahia akuzon qeverinë për ngjarjet e ndodhura këtë sezon të verës ku janë mbytur dhjetëra pushues për shkak të mungesës së sigurisë në plazhe dhe në zonat turistike.
“Me hidherim të thellë, sot mësova lajmin tragjik për humbjen e jetës së dy fëmijëve të familjes Tahiraj, Sabianit 15 vjeç dhe Elvisit 13 vjeçar, banues ne Boric të Madh. Si prind e si bashkëqytetar sot jam pranë prindërve e familjarëve të tyre me dhimbje të thellë në zemër e duke u shprehur ngushëllimet me të sinqerta e mbeshtetjen time tëe plotë në këto orë të vështira. Falenderoj zotin për shpëtimin e fëmijëve të tjerë nga tragjedia që mund të kishte marrë përmasa më të mëdha. Kërkoj me insistim nga organet përkatëse forcimin e masave që tragjedi të tilla të mos përsëriten më kurrë.
Tashmë nuk mund të quhen më as aksidente e as fatkeqësi. Janë shfaqja e përditshme e papërgjegjshmërisë totale të Qeverisë Rama e Kryeministrit që në show e sipër për kapjen e timonit i vetëm, harroi totalisht se nuk drejton një makinë lodër, por një vend me njerëz që çdo ditë e më shumë po u vështirësohet jetesa e u rrezikohet jeta nga kjo mënyrë qeverisjeje. Ky sezon turistik që po shkon drejt fundit e demonstroi më së miri.
Rrugë të papërfunduara e ku punohej pikërisht në pikun e sezonit e në mes të ditës, si segmenti hyrës në rrugën e “Kombit” afër Milotit, rradhë kilometrike e trafik në akset kryesore të vendit ku mungonin absolutisht patrullat e Policisë Rrugore, mungesë uji e dritash në të gjitha pikat turistike nga Veriu në Jug, në mal apo bregdet. Mungesë e pajustifikueshme në terren e specialistëve të Inspektoriateve Shëndetësore e Kontrollit të Ushqimeve, duke sjellë dhjetëra raste intoksikacionesh ushqimore si pasojë e mungesës së higjienës. Grumbuj plehrash në pothuajse gjithë bregdetin, ndotja e plazheve më të frekuentuara të vendit nga ujërat e zeza si në Ksamil e Sarandë. E qershia mbi tortë zjarret në masivet pyjore që zgjaten prej disa ditësh, ndërkohë që përpjekjet për t’i dominuar ishin minimaliste. Kjo ishte panorama që ofronte Shqipëria këtë sezon turistik për pushuesit e huaj dhe ata vendas. Sa prej turistëve që e vizituan Shqipërinë këtë vit kanë një arsye për t’u rikthyer vitin tjetër??!”, shkruan deputeti Spahia.
R.POLISI