Tjetër viktimë nga i ftohti, i pastrehu gjendet i ngrirë

Ditën e djeshme u shënua viktima e pestë nga i ftohti. Një 60-vjeçar është gjetur i vdekur në periferi të qytetit të Korçës. Mësohet se viktima është gjetur rreth orës 10:30 tek vendi i quajtur “Parku i mallrave” në lagjen nr.10 të qytetit jugor. Sipas burimeve, 60-vjeçari Ilia Lifo është gjetur i pajetë në ambientet e një zdrukthëtarie, ku ai e kishte sajuar si “banesë”. Të njëjtat burime bënë të ditur se 60-vjeçari i pastrehë ka vdekur nga i ftohti. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe bëri të ditur se në trupin e viktimës nuk kishte shenja dhune, dhe vdekja ka ndodhur nga shkaqe natyrore, nga temperaturat e ulëta.
Numri i viktimave nga i ftohti po shtohet dita-ditës, ndërsa qeveria nuk ka marrë asnjë masë për t’u ardhur në ndihmë të pastrehëve dhe personave në nevojë në këto ditë të vështira. Vetëm për blerje kondicionerësh në Kryeministri Rama shpenzon 530 milionë lekë nga buxheti i shtetit, ndërkohë që të pastrehët po vdesin nga i ftohti.
Viktima e djeshme në Korçë është i pesti që ka humbur jetën nga i ftohti. Dy të pastrehë në Sarandë dhe Durrës humbën jetën nga i ftohti para tre ditësh, ndërsa një 53-vjeçar në fshatin Golem të Lushnjës u gjet i ngrirë nga familjarët e tij në vendin ku punonte si roje. Punëtori ka qenë me probleme shëndetësore, por askush nga zyrtarët nuk u interesua për jetën e tij. Ai ka shfaqur probleme me zemrën dy ditë para se të ndërronte jetë nga i ftohti.
Po ashtu, një i moshuar gjeti vdekjen në Gjirokastër, pasi ra nga çatia e banesës, ku kishte hipur për të rregulluar tubacionin e ujit. Temperaturat disa gradë nën 0 kanë ngrirë tubacionet e ujit në shumë qytete. Nisur nga kjo situatë 62-vjeçari Vasil Kaçi, banues në lagjen “Granica” të Gjirokastrës ka hipur në tarracën e banesës.
53-vjeçari Leonard Arapi u gjet nga banorët i pajetë të dielën si shkak i të ftohtit të acartë dhe kushteve tejet të vështira, në të cilat ai jetonte. Arapi është gjetur i pajetë në lagjen nr.2 të qytetit të Sarandës, në një banesë të improvizuar. Problemin e strehimit ai e kishte ngritur disa herë tek strukturat shtetërore, por askush nga qeveritarët nuk i erdhi në ndihmë për t’i siguruar një strehë.  Leonard Arapi ishte jetim dhe nuk kishte asnjë të ardhur. Edhe pse Ligji “Për statusin e jetimit” u jep përparësi të gjithë jetimëve që të ndihmohen dhe përkrahen nga shteti me strehim dhe punësim, ky ligj kurrë nuk ka gjetur zbatim nga agjensitë e ligjit zbatues të qeverisë së “Rilindjes”.
Ndërsa të shtunën u regjistrua viktima e parë nga i ftohti në Durrës. Një i pastrehë është gjetur i ngrirë dhe i pajetë në lagjen nr.17 të qytetit bregdetar. Ishin banorët ata që njoftuan për vdekjen e endacakut, i cili ishte i njohur në qytet me emrin Beni. Bëhet me dije se, Beni ishte i papunë dhe pa asnjë të ardhur dhe strehohej ku të mundej. Kjo ngjarje tragjike ka indinjuar opinionin publik në Durrës, por jo Dakon dhe punonjësit e tjerë të Bashkisë që nuk kanë marrë asnjë masë për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë dhe të pastrehëve.
Askush nga Bashkia e Durrësit nuk u interesua për njerëzit që e gdhijnë natën jashtë. Nuk u interesuan që t’i ofronin një strehë në këto ditë të acarta një endacaku që humbi jetën në mes të katër rrugëve. Në Durrës ndodhen dhjetëra të pastrehë që enden rrugëve pa asnjë të ardhur, ndërsa bashkia as që i hedh sytë nga këtë njerëz që ndodhen në depresion, si pasojë e mjerimit dhe vrasjes së shpresës. Në mjaft raste, këta njerëz kanë tentuar vetëvrasjen, pasi nuk gjejnë asnjë rrugëdalje nga kriza e thellë dhe dëshpërimi.

R.POLISI

Exit mobile version