Tmerr në Vlorë! Përdhunohen 2 fëmijë në oborrin e shkollës

Një ngjarje shokuese ka ndodhur në qytetin Vlorës gjatë fundjavës, ku dy djem në moshë të mitur kanë përdhunuar dy fëmijë më të vegjël. Sipas policisë, ngjarja e rëndë ka ndodhur në një shkollë në lagjen “15 tetori”, në periferi të qytetit të Vlorës, ku F.N.,14 vjeç dhe shoku i tij V.R., 11 vjeç, kanë kryer marrëdhënie homoseksuale me dy fëmijë 6-vjeçarë. Sipas burimeve, ka qenë pasditja e së shtunës, kur fëmijët po luanin me njëri-tjetrin në ambientet e oborrit të shkollës të kësaj lagjeje, pasi ishte ditë pushimi.
Pasi kanë mbaruar lojën, djali më i madh në moshë, 14-vjeçari F.N., ka kapur me dhunë dy fëmijët 6-vjeçarë që ndodheshin pranë tyre. Në ndihmë të tij ka shkuar edhe shoku më i vogël, 11-vjeçari me inicialet V.R. Por sipas policisë, të përfshirë në këtë akt të rëndë kanë qenë edhe persona të tjerë.
Pasi kanë ushtruar dhunë fizike ndaj të vegjëlve dhe kanë realizuar përdhunimin e tyre, dy djemtë më të rritur janë larguar me vrap për në lagjen e tyre. Ndërkohë, dy fëmijët kanë shkuar në shtëpi, duke qarë dhe kanë arritur të tregojnë se çfarë u ka ngjarë.
Të alarmuar, prindërit menjëherë kanë kërkuar ndihmën e Policisë së Vlorës. Kjo e fundit ka bërë shoqërimin e dy të miturve në ambientet e Komisariatit të Vlorës.
Pasi i ka marrë në pyetje ka bërë arrestimin e 14-vjeçarit F.N, ndërsa ka lënë të lirë 11-vjeçarin me iniciale V.R., pasi ai nuk është subjekt i veprës penale. Çështja e tij i është lënë Gjykatës së Vlorës për të mitur që të vendosë për të. Mësohet se dy djemtë, autorë të përdhunimit të të miturve, janë banorë të qytetit të Vlorës dhe jetojnë në lagjen “Partizani”.
Sipas të njëjtave burime, dy dhunuesit kanë mohuar në polici të kenë bërë gjeste provokative me të vegjlit dhe kanë pohuar se gjendeshin aty vetëm për të luajtur. Ndërkohë, në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se, ata akuzohen se kanë kryer marrëdhënie homoseksuale me dhunë, vepra penale të parashikuara në nenet 100 dhe 25 të Kodit Penal.
Nga ana e grupit hetimor po kërkohen informacione për veprimet e dy djemve dhe në lagjen ku jetojnë, për të parë nëse kanë ngacmuar apo abuzuar dhe aty me djem apo vajza të mitura.
Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur Vlorën dhe mbarë opinionin publik. Qytetarët e Vlorës të shokuar nga kjo ngjarje kanë kërkuar vënien para drejtësisë të autorëve dhe rritje të sigurisë në shkolla. Shkollat janë të pasigurta dhe nxënësit kanë frikë të lozin në ambientet e shkollës. Në mjaft shkolla të vendit, përfshi edhe Tiranën janë evidentuar plagosje me armë dhe thika të nxënësve, por edhe raste dhune nga persona që nuk kanë lidhje me shkollën.
Para disa ditësh u plagos një gjimnazist në shkollën e mesme “Çajupi” në Tiranë. Rrjetet sociale publikuan një video ku shfaqej momenti pas ngjarjes ku K.Z. dergjet në tokë i plagosur rëndë në këmbë. Po ashtu, njerëzit thërrasin për ndihmë, ndërkohë që djaloshi humbet gjak.
Po në Tiranë vitin e kaluar u plagos me thikë një 16-vjeçar në Shkollën “Partizani”. Nëna e 16-vjeçarit të plagosur është tmerruar nga lajmi i plagosjes së të birit në shkollë.  Djali i saj mbeti i plagosur me thikë në ambientet e shkollës, pasi u konfliktua me një bashkëmoshatarin e tij për shkak të ngacmimit të një shoqeje të tyre të klasës.
Para disa kohësh u plagos me armë një nxënës në një shkollë të Fierit. Ngjarja ndodhi në ambientet e shkollës së muzikës “Jakov Xoxa” dhe i plagosur me armë mbeti nxënësi me inicialet P.Sh, i cili në gjendje të rënduar shëndetësore u dërgua menjëherë në Tiranë për mjekim më të specializuar.

Exit mobile version