Tmerr në Vlorë, shkelma dhe grushta gruas në mes të rrugës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në qendër të qytetit të Vlorës. Shumë kalimtarë u bënë dëshmitarë kur një burrë godiste gruan e tij në mes të rrugës në sy të dy fëmijëve të mitur, të cilët qanin të lebetitur duke u përpjekur të mbronin nënën e tyre. Disa qytetarë u munduan ta largonin, por ai vazhdonte të qëllonte nënën e dy fëmijëve, e cila nis të qajë. Rreth vendit të ngjarjes nuk pati punonjës policie, por pas publikimit të videos në rrjetet sociale, agresori u shoqërua në komisariat.
Policia e Vlorës ka informuar se burri i dhunshëm që shkelmoi gruan në sy të dy fëmijëve të mitur ishte ish-bashkëshorti i saj, Ilirjan Pajo, 44 vjeç. Policia njoftoi se gjatë hetimeve paraprake, ka identifikuar autorin, si dhe ka bërë shoqërimin dhe arrestimin e tij në mënyrë të menjëhershme për dhunë fizike ndaj ish-bashkëshortes së tij. Ai quhet Ilirjan Pajo, 44 vjeç, banues në lagjen “11 Janari” Vlorë.
Shërbimet e Policisë së Vlorës kanë bërë arrestimin e menjëhershëm të tij pasi ai, rreth orës 10:00, në tregun e madh në lagjen “28 Nëntori” pranë “Alfa Bank”, për motive të dobëta, ka ushtruar dhunë fizike kundrejt ish-bashkëshortes së tij, shtetases me iniciale M.C., 38 vjeç, banuese në lagjen “24 Maji” Vlorë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë në dalje të qytetit të Vlorës në vendin e quajtur “Pus-mezini”, duke tentuar t’u largohej shërbimeve të policisë.
Çaushaj: E kam denoncuar dy herë në polici. Do të më marrë fëmijët
E reja Marsela Çaushaj është gruaja, e cila u godit brutalisht nga ish-bashkëshorti i saj në mes të rrugës në qytetin e Vlorës, ka deklaruar se është dhunuar edhe më parë prej tij. Nëna e tri fëmijëve tha se kishte vendosur të fillonte punë duke u përkujdesur për një grua të moshuar, por ish-bashkëshorti e ka kërcënuar dhe ka kërkuar të marrë fëmijët. “Më ka dhunuar edhe më parë. Kam tri vite që jam ndarë dhe e kam kallëzuar dy herë në polici. Ai ka dhunuar edhe vajzën”, është shprehur ajo.
“Më kërcënoi duke më thënë ‘nuk do të fillosh punë’, më tha ‘m’i jep fëmijët t’i mbaj unë’, është hera e dytë që më dhunon në publik. E kam kallëzuar dy herë në polici. Jemi të ndarë prej 3 vitesh, ai është i alkoolizuar. Kam kërkuar 3 herë urdhër mbrojtje. Doja të gjeja një punë të rrisja fëmijët. Sot do të filloja punë të mbaja një grua të moshuar”, ka thënë për mediat Marsela.
Pas videos tronditëse të dhunës që shokoi mbarë opinionin publik, Marsela Çaushaj kërkon nga policia që ish-bashkëshorti i saj, Ilir Paja, i cili u arrestua dje, të mbetet në burg, pasi siç shprehet ajo, rrezikon ta vrasë.

Exit mobile version