Tohir: Bëjmë tre goditje të mëdha

Erik Tohir ka lajme të mira për Roberto Mançinin. Presidenti i Interit duket se është bindur nga këshilltarët e tij dhe më në fund ka vendosur që të shpenzojë disa miliona euro për Interin. Sezoni që sapo u mbyll ka bërë që indoneziani të kuptojë se për të fituar një titull, nuk mjafton një strategji e zgjuar në merkato dhe një trajner fitues.
I pyetur për sezonin që sapo u mbyll, Erik Tohir ruajti të njëjtën linjë, duke vlerësuar lojtarët për punën e bërë. “Vendi i katërt ishte pozicioni më i mirë që mund të merrte Interi në këtë sezon. Shpresoj shumë që edicionin e ardhshëm ekipi të tregojë dhëmbët”, tha Tohir gjatë intervistës që dha për gazetën indoneziane “Sundul”. Besimi – Në fjalën e tij, presidenti zikaltër ishte optimist për të ardhmen dhe la të kuptohej se e kishte planifikuar Interin e ri me Mançinin në qendër. “Jam i bindur se ai ka besimin e lojtarëve dhe do të vazhdojë që të jetë trajner i Interit. E pranoj, është një trajner i madh”, u shpreh 45-vjeçari.
Numri një i Interit nuk u tërhoq, kur e pyetën për ekipin që priste të ndërtonte këtë verë. Në këtë temë, ai u zhbalancua dhe zbuloi strategjinë që kishte studiuar me trajnerin. “Unë dhe Roberto Mançini kemi diskutuar gjatë rreth merkatos. Kemi rënë dakort që të përforcojmë të tre repartet, duke afruar të paktën nga një futbollist të talentuar dhe ekspert në sulm, mesfushë dhe mbrojtje”, tha Erik Tohir.
Një tjetër pyetje që nuk trembi Tohirin ishte edhe ajo rreth stadiumit. “Sigurisht, që nuk kemi hequr dorë nga projekti i stadiumit. Ne duam që të jemi të vetëm në “San Siro”. Shpresoj që sa më shpejt të jetë e mundur të zgjidhet kjo situatë e sikletshme”, pohoi presidenti i Interit.

Exit mobile version