Toka e Artan Gaçit, u nis si regjistrim për “Tokë Arë” dhe përfundoi në “Truall”. Dyshime se Lame luajti “levën” e fundit

Regjistrimi si “truall” i sipërfaqes së tokës prej 5512 m2 ka ngritur dyshimet e para për një aferë të mundshme në bregu e Dhërmiut, e cila mori spunto fillimisht pikërisht në prokurorinë e Vlorës dhe më pas çështja u transferua për hetime të mëtejshme në SPAK.

Hetimi i prokurorisë ka nxjerrë në dritë se fillimisht praktika për tjetërsimin e sipërfaqes tokësore buzë detit “Jon”, ka nisur si një praktikë për regjistrimin në hipotekë si “Tokë Arrë”, kjo duke u bazuar dhe në AMTP-në që Stavri Mëhilli kishte dorëzuar pranë bashkisë Himarë.

Në fakt në këtë AMTP ekzistonin disa pasuri të përfituara në bazë të ligjit 7501.

Një nga këto pasuri me sipërfaqe 1200 m2 katror është regjistruar në hipotekën e Vlorës si “Tokë Arë” dhe më pas është shitur nga Stavri Mëhilli. Kjo pasuri ishte pikërisht disa dhjetëra metra larg pronës prej 5512 m2 të tjetërsuar, në vitin 2020.

Por poshtë kuadratit të kësaj pasurie të shitur, Stavri Mëhilli, ka shtuar në AMTP dhe një sipërfaqe toke prej 5512 m2, duke pretenduar se e kishte fituar nga “Ligji për Tokën” dhe sipas tij kjo pasuri ishte ndarë nga Komisioni i Ndarjes së Pronava të asaj periudhë kur u vu në zbatim ligji.

Më tej ka vijuar kryerjen e procedurave të tjera në bashkinë e Himarës, ku përmes Drejtorisë së Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës, ka konfirmuar se pasuria shtetërore ishte ndarë sipas ligjit Nr.7501 “Për Tokën” dhe kjo pasuri i përket Stavri Mëhillit.

Më tej praktika ka shkuar në hipotekën e Vlorës, ku aplikimi i Stavri Mëhillit për të regjistruar 5512 m2 si sipërfaqe bujqësore “Tokë Arë” ka qëndruar rreth 1 vite e pa zënë me dorë nga specialistët e kësaj zyre.

Por gjatë kësaj kohe dikush ka lëvizur në Drejtorinë e Përgjithshme të Hipotekave në Tiranë, që në atë kohë drejtohej nga Artan Lame, dhe në fillim të muajit Shkurt 2020, kjo pasuri është regjistruar jo në “Tokë Arrë” por në “Truall”.

Nuk ka kaluar shumë ditë nga marrja e certifikatës së pasurisë, ku Stavri Mëhilli ka lidhur menjëherë një kontratë noteriale me Artan Gaçin, burrin e Olta Xhaçkës, duke e blerë sipërfaqen prej 5512 m2 kundrejt shumës financiare prej 126 milion lekë të vjetra.

Çmimi ka qenë formal pasi sigurisht një sipërfaqe toke buzë detit “Jon”, ka një çmim shumë herë më të lartë se vlera financiare e përcaktuar në kontratë.

Artikulli paraprakSekretari i Përgjithshëm i PD, Enkelejd Alibeaj, takon reporteren për Shqipërinë në PE, Isabel Santos: Ndamë shqetësimin për zbehjen e përpjekjeve të Shqipërisë në procesin e reformave të nevojshme për Integrimin Europian, veçanërisht reforma zgjedhore
Artikulli tjetërPrishja e pazareve të drogës në Angli përgjak rrugët në Shqipëri, The Sun: Ja pse kartelet nga vendi ballkanik janë kaq të pamëshirshëm