Rrethinat e Tiranës dhe në përgjithësi të rajonit të qendrës së Shqipërisë, Durrës dhe Elbasan, kanë çmimin më të lartë të tokës bujqësore në Europë. Sipas të dhënave Eurostat çmimi mesatar i tokës në BE arriti në 63,000 mijë euro për një hektar (6.3 euro metri katror) në vitin 2017. Në Shqipëri çmimi mesatar i një metri katror në fshatrat e Tiranës varion mesatarisht në 70-90 euro për metër katror sipas të dhënave që dha ekspertja Xheni Jahja nga Tirana Real Estate. Sipas të dhënave krahasuese çmimi i tokës bujqësore në Shqipëri është rreth 10 herë më i lartë se në vendet e BE-së.
Ekspertja Jajha ka disa shpjegime për këtë deformim të tregut të tokës bujqësore në vendin tonë. Së pari, mungesa e planeve rregulluese dhe planeve të detajuara. Sipas saj, të pasurit e një plani eliminon abuzimin që bëjnë pronarët në ofertën që hedhin në treg. Ndaj dhe çdo ditë përballemi me oferta të fryra që nuk i përshtaten kërkesës që ka tregu, shtoi ajo. Së dyti, çmimi i lartë i tokës në zonat rurale është edhe për shkak të kërkesës së vazhdueshme për zhvillim të sipërfaqeve të mëdha për zona industriale. Ekspertët e fushës mendojnë se, shkak për deformimin e çmimeve të pasurive të paluajtshme në Shqipëri janë ndërtimet, të cilat vijojnë të bëhen jo konform planeve rregulluese. Për shkak se toka bujqësore është përdorur lirisht edhe për tokë truall vlera e saj është rritur artificialisht pas viteve 1990. Duke u ndryshuar distanconi i përdorimit të tokës pa mbikëqyrjen e shtetit, aktualisht Shqipëria paraqitet me çmimet më të larta të tokës në Rajon. Jahja thotë se së fundmi ka pasur një klient që donte të shiste një tokë në Kamëz dhe e mbante me 180 euro/m2, pasi ngulte këmbë se e shiste për ndërtim, ndonëse ajo ishte tokë arë.
Toka në Europë
Sipas të dhënave të Eurostat, Holanda regjistroi çmimin më të shtrenjtë të blerjes së një hektari tokë të punueshme në BE në vitin 2016 (63 000 euro). Çmimi i tokës së punueshme në çdo rajon të Holandës ishte mbi të gjitha mesataret kombëtare të BE-së.
Megjithatë, midis rajoneve të BE-së për të cilat disponohen të dhëna, çmimi më i shtrenjtë për tokën bujqësore ishte në rajonin Liguria të Italisë (mesatarisht 108 000 euro për hektar (10.8 euro). Ndërsa toka me e lirë u regjistrua në Rumani, ku një hektar kushton mesatarisht 1958 euro. Ky informacion, i publikuar nga Eurostat, vjen nga një grup i ri statistikash mbi çmimet e tokës bujqësore dhe qiratë, e cila mbulon shumicën e shteteve anëtare të BE.
Eurostat shpjegon se niveli i çmimeve të tokës varet nga ligjet kombëtare, rajonale (klima, afërsia me rrjetet) dhe faktorët lokalë (cilësia e tokës, pjerrësia, drenazhimi etj.) si dhe forcat e tregut të ofertës dhe kërkesës rregullat e pronësisë së huaj). Nga të dhënat në dispozicion, rritja më e madhe në çmimet e tokës bujqësore midis 2011 dhe 2016 ishte në Republikën Çeke (një rritje tre herë), Lituania, Estonia, Letonia dhe Hungaria (një rritje dyfish). Çmimet u rritën edhe në shtetet e tjera anëtare, edhe pse me norma shumë më të ulëta. Në pothuajse të gjitha rajonet, blerja e tokës bujqësore ishte më e shtrenjtë se blerja e kullotave (20 herë më të shtrenjta në ishujt grekë të Voreio Aigaio). Po ashtu, blerja e tokës së punueshme të ujitshme ishte më e shtrenjtë se tokat në të thatë. /Monitor/