Tonelata droge dhe arsenal armësh janë bllokuar në Bari nga policia italiane. Mediat italiane shkruajnë se është sekuestruar 1 ton marijuanë, 15 kg kokainë, si dhe një arsenal armësh, mitralozë, pistoleta silenciatorë e municione. Hetimet e zhvilluara që në vitin 2015, shkruan gazeta “La Repubblica”, kanë dokumentuar importin e sasive të mëdha të hashashit nga Shqipëria. Në kuadër të këtij hetimi, autoritetet italiane njoftojnë se janë gjetur dhe sekuestruar më shumë se 3.500 armë në vitin 2014. Tri klane të ndryshme kanë importuar tonelata me hashash nga Shqipëria, shkruan “Ansa”.
Hetimi i koordinuar nga prokurori i DDA në Bari, Giuseppe Maralfa, ka dokumentuar importimin e sasive të mëdha të kokainës dhe marijuanës nga Shqipëria në Romë, Milano dhe Palermo. Gjatë hetimit ishin arrestuar 15 trafikantë të tjerë, konfiskuar 15 kilogramë kokainë dhe më shumë se 1 ton marijuanë dhe më shumë se 70 armë, mes të cilëve kallashnikovë, mitralozë, pushkë, pistoleta me silenciator e 3500 municione janë sekuestruar në Bari.
Organizata merrej me transportonin e kanabisit dhe armëve nga Shqipëria për në Itali. Shqiptarë e arrestuar janë: Roland Lame nga Vlora, 42 vjeç dhe 35-vjeçari Gjovalin Nikoli. Lame është një emër i njohur për drejtësinë italiane, ndërsa Nikoli rezulton i padënuar.
Tre ditë më parë policia italiane sekuestroi 600 kg kanabis nga Shqipëria në Foggia. Operacioni është zhvilluar në një provincë të Foggias, në San Nicandro Garganigo dhe gjatë kontrollit të një godine të braktisur u zbulua një laborator i vërtetë marijuane. Policia italiane bëri të ditur se gjatë kontrollit u gjetën 600 kg kanabis sativa, 20 kg marijuanë e përpunuar gati për t’u hedhur në treg.
Hetimet nisën ditë më parë, kur karabinierët ranë në sy të lëvizjeve të personave të dyshimtë dhe nisën ndjekjen. Grupi kishte si detyrë të paketonte lëndën narkotike që dyshohet se vinte nga Shqipëria. Ata shkonin në mëngjes me një furgon dhe qëndronin në atë godinë të pabanuar deri në mbrëmje. Shqiptari i arrestuar është idenfikuar si Klodian Paluci. Të arrestuarit janë përpjekur të largohen, por nuk arritën.
Trafiku i drogës drejt Italisë vijon për çdo ditë. Vetëm në tre javë të muajit tetor janë sekuestruar më shumë se 4 tonë drogë nga brigjet shqiptare. Një javë më parë, policia italiane sekuestroi 650 kilogramë marijuanë të transportuar me skaf nga brigjet shqiptare. Droga u gjet në brigjet e Puglias, në Komunën e Monopolit, në plazhin e Santo Stefanos dhe nëse do të dilte në treg, kapte vlerën e 3 milionë eurove. Fillimisht janë gjetur 137 pako me lëndë narkotike, ndërsa pak më tutje në breg të detit është zbuluar edhe një gomone e braktisur. Mediat italiane shkruanin se, lënda narkotike vinte nga Shqipëria, përmes ujërave të Adriatikut, ashtu si tonelatat e sekuestruara në muajt e kaluar në rajonin e Puljas. Nëse do të dilte në treg, droga kapte vlerën e 3 milionë eurove.
Kapet banda shqiptare që furnizonte bregdetin e Italisë me drogë
Policia italiane ka shkatërruar një organizatë kriminale që përbëhej nga romë dhe shqiptarë në Peskara. Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane që shkruajnë se fillimisht mes shqiptarëve dhe romëve kishte pasur rivalitet për sa i përket shpërndarjes së drogës. Por këto dy klane ishin bërë aleatë me pakt gjaku për të përfituar sa më shumë nga shitja e lëndëve narkotike. Mësohet se kjo organizatë kriminale furnizonte me kokainë gjithë bregdetin e Adriatikut, nga Abruco në Marke.
Raportohet se në pranga kanë përfunduar 7 persona, pas një operacioni të kryer nga Guardia di Financa e Peskarës. Shqiptarët e ndaluar janë identifikuar si: Vilson Pepa, Erjon Beqiraj e Ermal Beqiraj. Ndërsa kreu i organizatës kriminale shqiptare dhe krahu i tij i djathtë janë ende në kërkim. Guardia di Financa raporton se gjatë aksionit janë sekuestruar 10 kg kokainë, 50 kg marijuanë, 10 kg heroinë dhe më shumë se 40 mijë euro.
Një fakt tjetër i zbuluar nga policia italiane është se organizata kriminale, ndërronte shpesh makinat dhe kujdesej për çdo detaj. Madje groposte pakot e drogës në disa fshatra të braktisura në Itali. Guardia di Financa raporton se droga që përdorej nga organizata kriminale në Itali vinte kryesisht nga Gjermania, Holanda dhe Shqipëria. Të ardhurat nga trafikimi, që i kalonin 100 mijë euro në muaj, dërgoheshin në Shqipëri me autobus, me një shofer, i cili është gjithashtu nën hetim.
Tek gjurmët e këtij grupi trafikantësh, Guardia di Financa kishte rënë falë pakujdesisë së një shtetasi italian. Falë tij 150 numra janë përgjuar gjatë hetimeve: 10 mijë orë biseda dhe 20 mjete janë gjurmuar nga satelitët. Ndërkohë bëhet e ditur se autoritetet italiane po hetojnë dhe 36 persona të tjerë. Në këtë grup bëjnë pjesë: 27 shqiptarë, 9 italianë, 8 prej të cilëve të etnisë rome.
R.POLISI