Tonelata me drogë në magazinën e Artur Bushit

Një aksion i koordinuar mes Prokurorisë dhe Shërbimit Informativ Kombëtar ka bërë të mundur kapjen e 1.2 tonëve drogë, e cila gjendej në një magazinë në zonën e Dervenit në Thumanë, e cila i përket Bashkisë së Krujës. Nuk dihet nëse shifra mund të jetë më e lartë, pasi në aksionin e pak ditëve më parë në Vlorë, kjo shifër ishte 10 herë më e lartë se sa shifra që iu ofrua në fillim opinionit.
Kryetari i opozitës Basha e ka përshëndetur menjëherë operacionin antidrogë të Prokurorisë dhe Shërbimit Informativ, duke e konsideruar atë një sukses të punonjësve me integritet të shtetit. “1.2 ton drogë të Artur Bushit u kapën sot falë punës së përbashkët të SHISH dhe Prokurorisë. Përgëzoj dhe falenderoj punonjësit me integritet dhe kurajo të këtyre dy institucioneve”, shprehet Basha në një mesazh të shkurtër në rrjetet sociale menjëherë pas operacionit.

Aksioni Prokurori-SHIK

Aksioni i Prokurorisë dhe Shërbimit Informativ është ndërmarrë në një nga zonat më të nxehta ku ushtrojnë aktivitet trafikantë të drogës të lidhur direkt me Kryetarin e Bashkisë së Krujës, Artur Bushi. Të gjitha plantacionet e drogës në zonën e Krujës, Thumanës dhe Fushë-Krujës kanë si pronar në përqindje të konsiderueshme të aksioneve të të gjitha sipërfaqeve të mbjella Kryebashkiakun e Krujës, Bushi. Aktiviteti në këtë zonë është ndër më të lartët në të gjithë vendin dhe besohet se punonjësit që konsiderohen edhe si skllevër të drogës arrijnë në mbi 6 mijë të tillë. Aksioni i djeshëm i Prokurorisë dhe Shërbimit Informativ ka ndërhyrë në një magazinë ku magazinohet dhe thahej droga e sjellë në atë vend nga e gjitha droga e mbjellë në zona të ndryshme të Krujës.
Deri tani Prokuroria nuk ka dhënë emra të personave që janë ndaluar apo që janë shpallur në kërkim nga policia, por objekti ku është kapur sasia e drogës është në pronësi të ortakut të Bushit në aktivitetin e lëndëve narkotike. Magazina e drogës ushtronte aktivitetin nën hundën e policisë. Vendi ku ndodhet kjo magazinë është vetëm 100 metra larg rrugës nacionale në zonën e Thumanës. Besohet se numri i të punësuarve vetëm në këtë magazinë që bënin procesin e qethjes së lëndës narkotike arrinte në mbi 60 persona. Në njoftimin e dhënë në media në orët e vona të natës së mbrëmshme thuhej se ka disa të arrestuar dhe se operacioni po vazhdonte.
Fakti që magazina e drogës së Bushit ishte vetëm pak metra larg autostradës që lidh Fushë-Krujën me Lezhën është një dëshmi se si trafikantët e zhvillonin aktivitetin e tyre, duke pasur garanci të plotë nga pushteti. Për më shumë zona ku magazinohej droga është pranë një lokali të njohur dhe mjaft të frekuentuar me emrin “Vllaznia” në hyrje të autostradës së Lezhës.
Ashtu si edhe në rastin e Vlorës, policia ka heshtur mbrëmë dhe nuk ka bërë asnjë deklaratë për këtë operacion të Prokurorisë dhe të Shërbimit Informativ. Ndërhyrjet e policisë në zonën e Krujës janë bërë vetëm në ato raste kur poseduesit e sipërfaqeve të mbjella me hashash janë konstatuar se nuk kanë paguar gjobën ose tek policia ose tek Kryebashkiaku i Krujës Bushi. Nëse trafikantët paguajnë gjobën vetëm tek Kryebashkiaku i Krujës, por harrojnë policinë, atëherë ndërhyn policia dhe asgjëson lëndën narkotike. Në rastin tjetër kur trafikantët paguajnë gjobën tek policia, por jo tek Kryebashkiaku trafikant i Krujës, atëherë ky i fundit spiunon në Tiranë për drogën në ato zona.
Rasti i magazinës së drogës në zonën e Dervenit në Thumanë është direkt pronësi e Artur Bushit. Fakte të reja priten të dalin gjatë përfundimit të operacionit policor mes Prokurorisë dhe Shërbimit Informativ.

Arben SHAHINI

Exit mobile version