Tonelatat e drogës shqiptare që “mbytën” Europën

Dokumentet e policisë greke tregojnë se sasi të mëdha marijuane u nisën nga bregdeti shqiptar për në Greqi, Bullgari, Maqedoni, Austri, Belgjikë e vende të tjera nga ajo që konsiderohet si një nga organizatat më të mëdha tënarko-trafikut me bazë në territorin shqiptar.
Organizata kriminale përgjegjëse për trafikimin e sasive të stërmëdha të marijuanës dhe llojeve të tjera të drogës, financues i të cilës akuzohet se është 44-vjeçari shqiptar, Klement Balili përfshin një numër të madh anëtarësh. Sipas dokumenteve të policisë greke, organizata  dispononte një infrastrukturë të gjerë transporti, nga skafet mes të cilave droga kalohej nga Shqipëria për në Greqi te maunet dhe pikat e servisit të mauneve, ku kryhej modifikimi i strukturës së kamionëve për të fshehur drogën gjatë transportit.
Një dokument i policisë greke, i disponuar nga BIRN tregon se, trafikantët përdorën një numër të konsiderueshëm kompanish fantazmë, të cilat shërbyen për të justifikuar qarkullimin e mauneve ku fshihej droga, si dhe për të fshehur lidhjen me organizatën në rast se ndonjë nga ngarkesat kapej nga policia.
Hetimi ndwrkombwtar tregon se organizatës kriminale i janë kapur gjatë dy viteve të fundit 2,338 kilogramë marijuanë dhe 23 kilogramë kokainë, vlera e së cilës përllogaritet në së paku 6 milionë euro.
Dokumenti me numër protokolli 3008/12/15920-a’, i datës 9 maj 2016, i firmosur nga Konstandinos Panagiotopoulos, përgjegjës i Nëndrejtorisë greke të Antidrogës, përshkruan me detaje veprimet hetimore dhe provat e mbledhura nga policia greke dhe policitë e Austrisë, Belgjikës, Bullgarisë dhe Holandës, të cilat, në harkun kohor të dy viteve, kryen arrestime dhe konfiskime të drogës si dhe ofruan provat inkriminuese për policinë greke.
Policia shqiptare, megjithëse ka qenë zyrtarisht partnere në operacion, nuk rezulton të ketë kontribuar në prova. Në dokumentin e referimit policor të veprës penale, ajo nuk përmendet asgjëkund.
Në një deklaratë për gazetarët në Tiranë të enjten, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, e quajti operacionin ndërkombëtar kundër grupit kriminal të udhëhequr nga Balili si të suksesshëm, por refuzoi të japë detaje për rolin që ka luajtur policia shqiptare në hetime.
“Është një operacion i përbashkët në bashkëpunim me Agjencinë Kundër Drogës (DEA) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me partnerët tanë të Policisë greke dhe disa partnerë të tjerë të Bashkimit Europian”,  tha Çako.
“Është një nga operacionet më të suksesshme të organizuara në bashkëpunim midis strukturave policore në luftë kundër krimit të organizuar”, shtoi ai.

“Operacioni” i fundit i Klement Balilit

Shqiptari 44-vjeçar, Klement Balili, i shkarkuar të enjten nga posti si drejtor i Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Sarandë, akuzohet nga Policia greke si financuesi i trafikut.
Policia greke thotë se skema organizative e këtij grupi kriminal ishte me “hierarki të qartë nga lart – poshtë”, ku partneri kryesor i Balilit në Greqi ishte Gjeorgjio Alifandia.
Ndërsa i dyshuari tjetër, Ksenofondos Anagnostopoulo funksiononte si kujdestar për të arrestuarit e grupit dhe si përgjegjës për sigurimin e shoferëve të rinj për transport drejt Gjermanisë. Një tjetër shqiptar me rol kyç në organizatë ishte Dhimitër Poti me bazë në Bruksel.
Sipas dokumenteve policore greke, Balili akuzohet si organizatori i transportit të fundit të drogës, të kapur nga autoritetet e fqinjit tonë jugor.
“Në fund të prillit të vitit në fjalë 2016, Klement Balili organizoi transportin nëpërmjet detit nga Shqipëria drejt Greqisë të një sasie të madhe kanabisi të papërpunuar (678,500 gramë) në marrëveshje të plotë me koordinatorin e transportit Gjeorgjio Alifandi, asistuar nga Ksendofonda Anagnostopulo, të ngarkuar edhe në llogari të anëtarëve të tjerë të organizatës kriminale me gjetjen e kamionëve për transportimin e sasisë së narkotikëve, magazinimin e përkohshëm të saj në shtetin grek dhe transportimin e mëtejshëm të saj drejt vendeve të Evropës perëndimore përmes Greqisë”, thuhet në dokumentin e referimit të veprës penale.
Droga mësohet se është nisur nga bregdeti shqiptar pranë Sarandës për në bregdetin grek, duke kaluar nga ana perëndimore e ishullit të Korfuzit, ku është fshehur në një zonë të pabanuar në brigjet e Greqisë së veriut.
Dy peshkatarët shqiptarë, Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj, të dy nga Saranda, respektivisht 59 vjeç dhe 22 vjeç, sipas policisë greke nën urdhrat e Balilit, u nisën me një skaf me emrin “Vasiliki” me flamur grek, më 6 maj 2016 dhe e dërguan sasinë prej 678 kilogramësh marijuanë nga brigjet shqiptare për në Greqi.
Të dy peshkatarët transportues mbërritën në ishullin Zakinthos në orët e para të mëngjesit të 8 majit 2016. Atje ata duhej të dorëzonin drogën te tre anëtarë grekë të organizatës kriminale, të cilët udhëhiqeshin nga Gjeorgjio Alifandia. Pasi dorëzuan drogën, ata vijuan rrugën me skaf në drejtim të Patrës, por u arrestuan nga policia greke atë ditë. Brigjet e Sarandës gjenden mbi 150 kilometra larg ishullit Zakinthos.
Pyetur nga BIRN nëse kanë apo jo urdhër arresti të dërguar nga Greqia për Balilin, Policia e Shtetit nuk u përgjigj. Një kërkesë e ngjashme për Prokurorinë e Përgjithshme mbeti gjithashtu pa përgjigje.
Drejtori i Policisë Haki Çako, i pyetur në mënyrë të përsëritur nga gazetarët në një aktivitet të policisë, nëse personi i kërkuar nga drejtësia greke Klement Balili është apo jo në kërkim, në mënyrë të përsëritur refuzoi të përgjigjet.
“Jemi në proces hetimi. E thashë dhe një herë. Nuk jam i predispozuar të bëj interpretim….Nuk është në tagrin tim profesional që  të bëj interpretim të individëve, por është, thashë edhe njëherë, një nga operacionet e përbashkëta më të suksesshme sidomos me (DEA) amerikanë”, tha Çako.

Transportuesi

Gjeorgjio Alifandia, 46 vjeç me profesion shofer, konsiderohet nga policia greke si “truri” i organizatës për procesin e transportit. Ai përshkruhet nga Policia greke si bashkëpunëtor i ngushtë i Balilit dhe si personi përgjegjës për të marrë drogën në Greqi, për të siguruar magazinimin dhe mjetet për transport më tej në Perëndim. Ai u arrestua pasdreken e 8 majit në shtëpinë e tij në Nikai pranë Athinës, ku policia kapi edhe tre qese me rreth 50 gramë kanabis gjithsej.
Pasi të mbërrinte në Zakinthos, droga duhej të vijonte një udhëtim prej mbi 300 kilometrash në drejtim të Athinës.
Në afërsi të Athinës, një kompani me emrin “Anagnostopoulos Ksenofon Monoprosopi A.E”, e cila zyrtarisht merrej me tregtinë me shumicë të pjesëve të këmbimit, siguronte mjetet e transportit-përgjithësisht maune për linja të largëta, të cilat modifikoheshin për të krijuar hapësira për drogën.
Pronari i kësaj kompanie, Ksenofondos Anagnostopoulo është arrestuar sakaq nga policia. Ai konsiderohet edhe përgjegjës për sigurimin e heshtjes nga anëtarë të arrestuar të organizatës, duke paguar familjarë të tyre.
“Ndërtimin e pjesëve të kamionëve me vende të veçanta për fshehjen e narkotikëve gjatë transportit e kishin marrë përsipër Mihail Sofronas dhe Nikolaos Tasopoulos, ku realizonin vendet e veçanta fshehëse (kuti) në servise të kamionëve që zotëronin në zonën e Aspropirgos”, shkruan Policia greke.
Pikërisht kjo hallkë e trafikut duket se qe përgjegjëse për “përkujdesjen” për familjarët e anëtarëve të organizatës, të cilët kishin rënë në prangat e policisë.
“Në shumë raste arrestimesh të anëtarëve të organizatës, Anagnostopoulo dhe Alifandi, që vepronin në llogari të anëtarëve të tjerë të organizatës kriminale, u dërgonin shuma të ndryshme monetare të arrestuarve apo anëtarëve të familjeve të tyre, me qëllim të qartë moszbulimin e strukturës së organizatës kriminale”, shkruan policia greke.
Prania e një elementi të tillë si “kodi i heshtjes” mes të arrestuarve dhe anëtarëve të tjerë përbën një tregues shtesë për nivelin e organizimit të këtij grupi kriminal.
“Anagnastopoulo, në dijeni edhe të anëtarëve partnerë të organizatës i dërgonte shuma të ndryshme monetare një gruaje të panjohur me emrin “Niki”, përdoruese e nr. 69466xxxxx, e cila lidhet me Kleanthi DHIMOPOULON, të arrestuar më 30.04.2015 në Bullgari me 531 kilogramë kanabis të papërpunuar si dhe me Thimio Neranxin, të arrestuar më 18.01.2014 me 1135 kilogramë kanabis të papërpunuar”, thuhet në dokument.

Lidhja belge

Policia greke si dhe homologët e tyre në Bullgari e Austri identifikuan një numër të konsiderueshëm kompanish, të cilat zyrtarisht merreshin me transport, por që në thelb kishin aktivitet të paktë. Personi kyç në organizimin e trafikut në Europën Perëndimore mësohet se është shqiptari Dhimitër Poti.
Poti, 50 vjeç ka vendbanim të përhershëm në Belgjikë ku disponon një magazinë. Pikërisht ky qe destinacioni i ngarkesave me drogën shqiptare, para se ajo të shpërndahej në vende të tjera.
Policia greke në bashkëpunim me vendet e tjera, dokumentoi një rast të ndodhur mes 2 prillit 2015 dhe 7 prillit 2015, ku një sasi e panjohur lënde narkotike u tentua të nisej nga Belgjika për në Oslo. Për transportin u përdor një kamion nën pronësinë e Marta Dardhës, pronare e një kompanie të njohur si Flowers Trans LT.
“[Kamioni] nisi me ngarkesë të ligjshme nga Greqia me destinacion të tranziti Mynih të Gjermanisë në mënyrë që të shkarkohet dhe të marrte një tjetër ngarkesë të ligjshme me destinacion final Oslon e Norvegjisë, pasi më parë, ashtu siç ishte programuar do të futej në magazinën e Potit në Bruksel të Belgjikës për të marrë sasinë e narkotikëve për transport”, shkruan Policia greke.
“Transporti në fjalë  u anulua, pasi përfundoi afati i tërheqjes së ngarkesë së ligjshme, por edhe për shkak të çështjeve teknike dhe veçanërisht në lidhje me lartësinë e ngarkesës që ishte më shumë se e lejuara për kalimin në Norvegji”, shkruan Policia greke.
Poti është një nga tre të dyshuarit e pa arrestuar të grupit kriminal. /Birn/

Exit mobile version