Topalli: Droga në çdo cep të vendit, edhe në Parlament

Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka thënë në foltoren e Kuvendit se dje në mënyrë provokative u soll drafti i Reformës në Drejtësi që Topalli e quajti drafti “Xhafa”. Duke u ndalur tek institucionet e reja, të cilat krijohen me Reformën në Drejtësi, Topalli i lexoi ato me iniciale dhe tha se asnjë deputet nuk e di se çfarë janë këto institucione.
“Është një ndjenjë neverie sa herë që dëgjoj të flitet jo vetëm për Reformën në Drejtësi dhe në këtë Parlamanet kanë kaluar mijëra ligje dhe nuk më ka ndodhur asnjëherë që 99% të deputetëve të mos e kenë idenë se ç’po bëhet.
Çfarë po thuhet dhe ku po shkohet dhe çfarë po ndryshohet, dhe pse po bëhet dhe a është qëllimi i mirë fillestar i inkluduar, i sjellë sot këtu në mënyrën më provokative, drafti “Xhafa”.
Në fakt kur mediokriteti dhe injoraca bëjnë koalicion bashkë, sigurisht që rezultati është “Zëri i Popullit” dhe meritën e kësaj nuk po ja heq njeri sepse e keni fituar 70 vite më parë dhe me përsëritjen e vazhdueshme e bëtë edhe sot në këtë seancë për Reformën në Drejtësi.
Dhe tani do ju them një gjë, cili prej jush e di çfarë janë këto institucione.
Cili prej jush e di çfarë janë këto institucione: KLGJ, KLP, GJK, GJL, GJLA, KED, ILD, TDD, PP, PPA, BKH, KPK, KPP, GJK. Më thoni cili prej e di se çfarë janë këto? Kjo është reforma që Xhafa ka sjellë sot në mënyrë më provokative në tryezat e deputetëve.
Pse nuk ka sistem meritokracie? Se çdo gjë bëhet me para. Problemi më i madh është se Shqipëria është bërë Lazarat në çdo cep, në çdo qoshe. Ka vetëm drogë. Dhe çdo fshatar mendon se do të jetoj me atë. Se nuk ka cep që nuk është mbjellë.
Do drogojmë shqiptarët. Të shohim vendin tonë të kthehet në Kolumbi. Droga nuk do zhduket kollaj. Droga na ka hyrë në Parlament. Unë nuk besoj te Reforma në Drejtësi”, u shpreh Topalli.

Exit mobile version