Topalli: SHBA kushtëzon marrëdhëniet me arrestimin e Balilit

Gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare të Kuvendit, deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli tha se kryeministri Rama nuk foli asnjë fjalë për të shumëkërkuarin Klement Balili, i cili cilësohet nga mediat greke si “Eskobari i Ballkanit”.
Topalli u shpreh se ndërkombëtarët po kushtëzojnë marrëdhëniet me Shqipërinë në lidhje me arrestimin e Klement Balilit, për të cilin policia ka nisur operacion prej disa ditësh për kapjen e tij.
Topalli tha se shoqëria është zhytur në depresion, ndërsa ata që janë në burg për drogë janë ata që punojnë për bukën e gojës, pasi bosët e tyre janë të lirë.
“Brezi i ri duket si brez i djegur që ka si alternativë vetëm emigrimin kur nuk i del Lotaria Amerikane. Ata ikin për punë, punë quajnë drogën, zhyten në punë të këqija, ku burgu do të ishte finalja më e keqe. Përpiquni të mendoni dhembjen e prindërve, motrës për të afrimin që mbetet burgjeve. Aty janë më të varfrit që kanë humbur në rrugën e tyre, shumica e tyre janë në burg për hashash, janë ata që paguhen si skllevër e bëjnë për të marrë një rrogë, për të mbajtur frymën. Bosët e tyre janë krejt afër nesh dhe të lirë. Njëri prej tyre është Klement Balili për të cilin kryeministri nuk gjeti një fjalë, pasi dhe ndërkombëtarët kushtëzojnë marrëdhëniet me ne për të.
Shoqëria është zhytur në depresion, se pushteti ka dështuar të japë minimumin e jetesës, një rreze të vogël shprese. Ne jemi në krizë po rrezikojmë ta shikojmë. Shqipëria humbi shansin e hapjes së negociatave”, tha Topalli.

Artikulli paraprakBlushi: Dako sekser i Ramës tek lirimi i Lul Berishës
Artikulli tjetërBarça ia hedh me gjobë gjyqit