Topi i Artë/ “Jorginho s’është më i miri te Chelsea e jo më në botë”

Dy ish-yjet e Anglisë, Michael Owen dhe Rio Ferdinand nuk pajtohen aspak se Jorginho është kandidat i mirëfilltë për Topin e Artë 2021, duke këmbëngulur se ai madje nuk është lojtari më i mirë as në skuadrat e veta, Chelsea dhe Itali.

Jorginho është përmendur në mesin e favoritëve për ta fituar Topin e Artë këtë vit, pasi i ndihmoi Chelseat ta fitojë Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar dhe ishte kyç edhe në triumfin e Italisë në Euro 2020.

Por Owen dhe Ferdinand, tani ekspertë të futbollit në BT Sport, në diskutimet për çmimin më prestigjioz individual për futbollistë, nuk shohin ndonjë favorit të qartë, e aq më pak Jorginhon.

“Nuk ka favorit të madh këtë vit”, tha Owen në lidhje me Topin e Artë.

“Nëse i shikojmë statistikat, Lewandowski i ka 50 gola dhe 6 asiste në 38 ndeshje. Por ai nuk ka fituar shumë, asgjë përveç Bundesligës”.

“Natyrisht, Messi e ka fituar Kupën e Amerikës dhe asgjë me klubin. Benzema asgjë. Jorginho është i vetmi që ka fituar trofe të mëdhenj, por ai nuk është madje as lojtari më i mirë i tyre (ekipeve të veta)”, nënvizoi Owen.

Ferdinandi pajtohet me Owenin, duke thënë se Jorginho nuk është i pari as në skuadrën e Roberto Mancinit.

“Ai nuk është lojtari më i mirë në Chelsea dhe as nuk është i pari në listën e Italisë. Ai është lojtar i mirë, mos më keqkuptoni dhe nuk dua të tregoj mungesë respekti, por nuk e kuptoj se si ai është në një listë me këta futbollistë dhe baras me nivelin e lartë në të cilin kanë luajtur këta futbollistë”, tha Ferdinand.

“Në ndeshjet e Chelseat në sezonin që e fitoi Ligën e Kampionëve, mendoj se Kante ishte lojtari i ndeshjes në 5 prej 6 ndeshjeve. Nuk kuptoj. Ai i ka fituar dy trofe të mëdhenj, këtë e kuptoj. Por ta fusësh atë në një thes me këta katër futbollistë të tjerë nuk ka kuptim”, shtoi ai.

Çmimi i Topit të Artë për vitin 2021 do të ndahet më 29 nëntor.

Exit mobile version