Nuk ka një përgjigje të saktë trajneri Gianni de Biasi për rikthimin e mundshëm të Arlind Ajetit. Lojtari shqiptar i Torinos që mungoi në ndeshjen e parë sezonale në transfertën milaneze, vuan nga një dëmtim që rrezikon të kthehet në një problem për kuqezinjtë që kanë probleme serioze në repartin e prapavijës pas tërheqjes së Lorik Canës dhe momentit jo shumë pozitiv që po kalon Berat Xhimshiti.
Ajeti iu nënshtrua analizave të detajuara në Torino gjatë orëve të fundit dhe sipas burimeve të klubit granata, ai vuan nga një tërheqje muskulare në bicepsin femoral të kofshës së djathtë. Mjekët nuk kanë arritur të përcaktojnë kohën e rikuperimit, por gjithçka do të saktësohet me kalimin e ditëve, pasi bluzat e bardha do të monitorojnë nga afër fazën e rehabilitimit. Ajeti u bashkua me skuadrën e Torinos gjatë merkatos së kësaj vere pas përfundimit të aventurës te Frosinone ku arriti të tregonte një formë shumë të mirë duke bindur trajnerin Sinisa Mihajloviç për cilësitë e tij.
Ndërkohë, Adnan Januzaj është rikthyer te goli në Angli pas një periudhe të gjatë. Mesfushori belg me origjinë shqiptare kishte që në muajin tetor që nuk shënonte në një ndeshje zyrtare. Pak ditë më parë ai u huazua nga Mançester Junajtid drejt Sandërlendit, pasi Murinjo nuk e kishte në planet e tij për këtë sezon, por ndërrimi i skuadrës e ka rikthyer titullar. Ndeshja e vlefshme për 1-32-at e Kupës së Ligës në Angli mes Sandërlendit dhe Shrevsburit përfundoi në shifrat 1-0. Goli i Januzajt në minutën e 83′ të pjesës së dytë i dha edhe kualifikimin ekipit të tij. Një goditje e fortë e tij nga jashtë zonës së rreptësisë përcaktoi edhe fatin e këtij takimi.