Tottenham dominon Dortmundin

Tottenham Hotspur i tregoi dhëmbët Borussias së Dortmundit në ndeshjen e parë të Grupit H të Champions League, duke fituar në mitikun “Wembly” me rezultatin 3-1. Koreanojugori Son Heung-Min befasoi verdhezinjtë që në minutën e katërt pas një aksioni të shpejtë nga e majta, që u finalizua me një goditje të saktë prirët me portën.
Një perlë e Yarmolenkos në të 11-tën ktheu përkohësisht baraspeshën në rezultat, pasi vetëm 4 minuta më vonë Harry Kane avancoi me forcë në mbrojtjen e Dortmudit dhe shkarkoi të majtën për golin e 2-1. Sulmuesi i kombëtares angleze mbylli llogaritë me verdhezinjtë në të 60-ën, me një goditje rrafsh me tokën.
Cristiano Ronaldo e nisi këtë sezon të Championsit aty ku e la, duke realizuar një dygolësh në fitoren 3-0 të Realit të Madridit ndaj Apoel Nikosias po në Grupin H. Portugezi shfrytëzoi fillimisht asistin e Gareth Bale për golin e parë, ndërsa në fillim të pjesës së dytë shndërroi në gol një 11–metërsh për prekje të topit me dorë.
Të tretin dhe të fundit të kësaj sfide e realizoi Sergio Ramos, me një roveshatë në zonën e portierit.
Dy ndeshjet e Grupit E nuk nxorën fitues edhe pse u shënuan plot 6 gola. Në “Anfiel” Liverpuli i ndal 2-2 nga Sevilla, që kaloi e para në avantazh me Ben Yedder. Firmonho dhe më pas Salah përmbysën shifrat në 2-1, por në fund të pjesës së parë sulmuesi brazilian humbi një 11-metërsh. Në pjesën e dytë andaluzianët shmangën humbjen me Correan në të 72-ën, duke marrë një pikë me shumë vlerë në këtë transfertë.
Ndërkohë Maribo barazoi në shtëpi me Spartakun e Moskës, që nuk arriti të mbronte avantazhin e minutës së 59-të me Semedov, pasi Bohar barazoi në të 85-ën, për rezultatin përfundimtar 1-1. Në këtë takim futbollisti i kombëtares shqiptare Valon Ahmedi qëndroi në fushë për 69 minuta.
Në Grupin F Manchester City i shënoi 4 gola Feyenoordit në fushën e tij. Për skuadrën e Pep Guardiolës gjetën rrjetën brenda 25 minutave lojë Stones, Aguerro dhe Gabriel Jesus, ndërsa në pjesën e dytë sigloi të dytin personal në këtë mbrëmje Stones, me Cytizens që morën një fitore të lehtë. Në përballjen tjetër të këtij grupi Shaktar Donetsk mori një fitore të vyer ndaj Napolit të Hysajt me rezultatin 2-1. Në minutën e 15-të ngriti peshë stadiumin e Karkivit Taison, ndërsa Ferreria i çoi shifrat në 2-0 në të 58-ën. Napoli rihapi ndeshjen me Milik, që u tregua i saktë nga pika e bardhë, por pa mundur të gjejë një tjetër gol që do të vlente të paktën një pikë.
E nis me një humje të papritur Porto në fushën e saj përballë Beshiktasit. Në “Do Dragao” skuadra turke shënoi që në minutën e 13-të me Taliscan, para se Tosiç të devijonte në portën e tij për golin e 1-1. Tosun riktheu avantazhin e skuadrës turke në minutën e 28-të, ndërsa në pjesën e dytë vendasit morën goditjen përfundimtare nga Ryan Babel 4 minuta para përfundimit të kohës së rregullt.
Në ndeshjen debutuese në Champions League, Leipzigu barazoi 1-1 me Monacon. Tifozët në “Red Bull Arena” shpërthyen në festë nga goli i Forsberg në minutën e 33-të, por Monaco mori një pikë në këtë transfertë të vështirë në Grupin G falë finalizimit të Tielemans.

Artikulli paraprakKosova kërkon rol aktiv të SHBA në dialogun me Serbinë
Artikulli tjetërOlimpiadat 2024 dhe 2028