Totti jep lamtumirën!

Seria A italiane ul siparin këtë të dielë për sezonin futbollistik 2016-2017. Sot luhen 8 nga 10 sfidat e javës së 38-të, takime që do të keni mundësi t’i përjetoni live në ekranin e Supersport. Nga lamtumira e Francesco Tottit te dueli për vendin e 2-të mes Romës dhe Napolit  për të vazhduar me sfidën në distancë mes Edin Dzekos dhe Dries Mertens për Këpucën e Artë dhe për të mbyllur gjithçka me luftën për mbijetesë ku vetëm njëra mes Empolit dhe Crotones do të arrijë të jetë pjesë e Serisë A edhe sezonin e ardhshëm. Në “Olimpico” të Romës në orën 18:00, verdhekuqtë e Luciano Spallettit presin Genoan në atë që do të jetë sfida e fundit e kapitenit legjendar Francesco Totti, i cili edhe pse do ta nisë takimin nga stoli do të luajë për disa minuta, për të mbyllur në mënyrën më të mirë dhe pse jo me një  gol 25 vite karrierë si profesionist me klubin kryeqytetas.
Roma që sfidon Genoan në shtëpi dhe Napoli që përballet me Sampdorian në transfertë, nuk do jenë dy sfida që do të përcaktojnë vetëm skuadrën që do ta mbyllë kampionatin në vendin e dytë, por do të jenë edhe dy ndeshje ku do të zbulohet se kush  do të jetë golashënuesi më i mirë i këtij sezoni mes Dzekos dhe Mertens, për momentin kryeson boshnjaku me një gol më shumë. Dita hapet me sfidën e Sardenjës mes Cagliarit dhe Milanit, ndërsa në mbërmje do të jetë radha e Interit që në “San Siro” pret Udinesen. Ndërkohë në garën për mbijetesë, Empoli është i avantazhuar ndaj Crotones, sepse ka një pikë më shumë dhe luan në transfertë ndaj Palermos që ka rënë zyrtarisht një kategori më poshtë, ndërsa Crotone pret në shtëpi Lazion.

Exit mobile version