Bledi KASMI
Dikush e shpalli Rashicën tradhëtar sepse vendosi të luajë për Kosovën dhe jo për Shqipërinë. Një definicion që hidhet lehtësisht në treg për të vrarë një realitet, atë të Kosovës, shtet i pavarur. Ka pjesë të skorrjeve të së shkuarës në Tiranë që e kanë të vështirë që të pranojnë ekzistencën e Kosovës. Punojnë dhe po luftojnë që ta minojnë atë, jo me minat dhe tanket e Milosheviçit, por me diplomacinë e prapanicës së shtrirë për Beogradin.
Në Kombëtaren e Shqipërisë ka një lojtar që luan për Serbinë. Nuk bëhet fjalë për shitjen e ndeshjes ndaj Serbisë në Elbasan ku shqiparët e Kosovës u lanë jashtë stadiumit në shenjë respekti të 200 serbëve që kishin ardhur nga Beogradi në atë ndeshje. Nuk bëhet fjalë as për murin e ri që po ngrihet në Rrugën e Kombit me taksën 10 euro për një rrugë vajtje të kosovarëve në Shqipëri dhe anasjelltas.
Bëhet fjalë për një projekt që është vënë në lëvizje prej kohësh. Ky ka të bëjë me ëndrrën serbe të mos njohjes së Kosovës dhe zgjidhjes së të gjitha problematikave mes Beogradit dhe Prishtinës, duke e anashkaluar shtetin e ri të Kosovës përmes Tiranës.
Kjo është thika pas shpine e lojës serbe që po luhet bukur nga lojtari i “Kombëtares” së Tiranës prej tre vitesh. Është e dëmshme dhe i shkon për shtat politikës serbe të mos njohjes së Kosovës. Me të drejtë, Beogradi po thotë gjithnjë dhe me zë më të lartë se përse duhet njohur Kosova, kur ne bisedojmë me Ramën për të zgjidhur hallet që kemi? Përse duhet të dialogojmë me Kosovën kur ne dialogojmë me Ramën dhe më pas ai me Prishtinën? Përse fundja bota duhet të njohë një shtet të dytë shqiptar në Ballkan, ndërkohë që në Shqipëri kemi një Kryeministër po ashtu si në Beograd që nuk e njeh Kosovën dhe në takimet dypalëshe mes Tiranës dhe Beogradit kërkon ta marrë Kosovën si një shtojcë pa identitet.
Kjo është tentuar të ndodhë edhe me takimin e rradhës mes Kryeministrit serb, Vuçiç dhe Ramës në Nish të Serbisë. Kryeministri serb, Vuçiç i ka deklaruar nënpresidentit Biden se ai do të mbajë marrëdhënie me Kosovën përmes Ramës dhe ky i fundit e ka pranuar këtë rol.
Radio Evropa e Lirë njoftonte dje për këtë takim mes qeverive të Tiranës dhe Beogradit në Nish ku do të kishte edhe prezencë të një niveli të ulët politik të Kosovës. Takimin në Nish, që ende është në fazën e planifikimit, e inicioi Beogradi dhe koncepti i tij është që të mos ketë dialog ndërmjet shtetit shqiptar dhe atij serb, por dialog për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve në rajon ku shqiptarët përfaqësohen vetëm nga Tirana dhe jo bashkarisht edhe nga Kosova sepse për këtë Vuçiç është dakordësuar me Ramën.
Akoma më diskretituese bëhet loja serbe e Ramës, jo vetëm se e ka pranuar këtë rol të përcaktuar nga Beogradi, por qëllimin për të cilin, Rama do të udhëtojë në Nish. Beogradi thotë se në Nish do të inaugurohet fillimi i autostradës që do të lidhë Serbinë me Shqipërinë, duke përjashtuar sërish të përmendë Kosovën, e cila në të vërtetë është ura lidhëse në këtë autostradë.
Kosova ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në këtë inaugurim. Por ajo duhet të veprojë më me dinjitet për të prishur lojën serbe të Ramës, duke u deklaruar se çfarë do të ndodhë me autostradën që do të kalojë përmes Kosovës dhe për të cilën nuk mund të firmosë Rama, por Musatafa.