Trafik armësh nga Rinasi dhe kufinjtë

Trafiku i armëve nga Shqipëria drejt Europës është konsoliduar fort në katër vite. Pas denoncimeve të vazhdueshme në raporte të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë edhe Departamentin Amerikan të Shtetit ku ngrihej shqetësimi se Shqipëria është shndërruar në një vend tranzit të trafikut të armëve. Brenda një harku të shkurtër kohor, në vetëm dy javë tre raste flagrante janë bërë publike për trafik armësh të tipit kallashnikov dhe municione të tjera nga Shqipëria. Dy raste janë zbuluar vetëm dje. Rasti i parë i bërë publik ka qenë nga autoritetet greke, të cilat kanë zbuluar në kufi me Shqipërinë një sasi armësh, të cilat do të futeshin për në vendin fqinjë. Dje, policia përmes një komunikate për mediat bëri të ditur se, një ngarkesë me armë të tipit kallashnikov ishte ndaluar në Aeroportin e Rinasit. Konkretisht, disa pako të kompanisë “DHL”, që do të dërgoheshin me postë, u ndaluan në Aeroportin e Rinasit, pasi nga kontrolli me skaner u pikas se brenda tyre kishte armë luftarake. Më pas u verifikua se bëhej fjalë për automatik të tipit “Kallashnikov”. Për të hetuar këtë ngjarje është ngritur një grup i posaçëm, pasi policia dyshon se ky trafikim armësh drejtohet nga një grup i strukturuar kriminal dhe se nuk ishte hera e parë që veprohej në këtë mënyrë. Mësohet se janë sekuestruar kamerat e sigurisë së pikës ku janë dorëzuar armët (DHL) dhe bëhet me dije se linja tranzit që do ndiqej për transportin e pakove ishte Tiranë-Greqi-Londër. Nga hetimet e para është konstatuar se autorët kanë përdorur emra fiktivë dhe mjete identifikimi të falsifikuara kur kanë dorëzuar pakot. Për më tepër, adresa e personit që i dorëzoi këto armë është fiktive, ndërsa nuk kishte adresë se ku do të dërgohej, në Angli. I vetmi informacion që dihet deri tani për marrësin e porosisë është emri i personit, i cili është gjithashtu i falsifikuar. Po dje, rreth 49 kg marijuanë dhe 1 kallashnikov janë kapur dje nga policia greke. Operacioni u zhvillua në orët e para të ditës së djeshme në një zonë pyjore në Delvinaqi të Janinës. Policia greke arriti të vërë në pranga një 37-vjeçar shqiptar, i cili po transportonte 3 çanta me 12 pako që përmbanin 48 kg e 900 gramë marijuanë. Atij iu gjet dhe u sekuestrua dhe një armë zjarri tip “Kallashnikov” me bajonetë dhe një krehër me 29 fishekë, si dhe dy telefona celularë. Shqiptari ishte në pritje të një mjeti që do vinte të merrte drogën. Ndërkohë më pak se dy javë më parë, gjatë një operacioni në orët e para të mëngjesit të së hënës së datës 8 gusht të këtij viti, policia greke zbuloi pranë kufirit me Shqipërinë një sasi armësh e municionesh, të cilat do të trafikoheshin në Greqi. Agjentët grekë identifikuan tre persona që po ecnin në këmbë në një zonë pyjore dhe mbanin 3 çanta. Por, sapo këta të fundit panë policinë, braktisën çantat dhe u larguan me vrap drejt Shqipërisë, duke përfituar nga errësira dhe terreni malor. Burime policore thonë për të përditshmen “Kathimerini” se agjentët grekë kishin marrë informacione prej disa muajsh që përmes kufirit shqiptaro-grek trafikoheshin armë. “Ne po prisnim mundësinë e duhur për të identifikuar dhe kapur trafikantët”, thotë një oficer policie për gazetën greke. Sipas informacioneve të policisë helene, 3 shqiptarët e dyshuar ishin nisur nga një fshat afër kufirit dhe porosinë e armëve do ta dorëzonin në Janinë tek bashkëpunëtorët e tyre. “Sigurisht që kjo nuk është hera e parë që ata përpiqen të trafikojnë armë”, thotë agjenti i policisë që preferon të mbetet anonim. “Kathimerini” shkruan gjithashtu se për këtë ngjarje është angazhuar edhe Departamenti i Anti-Terrorizmit në Greqi. Armët do t’i nënshtrohen testeve balistike për të vërtetuar nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale. Hetuesit kanë dyshime se kjo linjë e trafikut të armëve nga Shqipëria në Greqi mund të ketë dërguar edhe municione e eksploziv tek bandat që veprojnë në Athinë, ku muajt e fundit ka patur sulme me armë e tritol. Në çantat e braktisura nga trafikantët u gjetën 3 kallashnikovë, 11 granata difensive, 5 pllaka tritoli, 33 detonatorë dhe 1593 fishekë. Nga ekzaminimet e kryera deri tani nga autoritetet greke, rezulton që këto armë janë me origjinë kineze. Por, ndërsa nga pala greke ka pasur raste të denoncuara për trafikun e armëve nga Shqipëria, e raporte ndërkombëtare kanë ngritur shqetësimin në lidhje me trafikun masiv të armëve nga Shqipëria, autoritetet përkatëse në Shqipëri, e konkretisht Policia e Shtetit ka heshtur ndaj këtij fenomeni, duke i hapur rrugën trafikut masiv të tij.

Exit mobile version