Policia Financiare e Brindisit ka zhvilluar një operacion kundër trafikut të marijuanës nga Shqipëria drejt Italisë dhe kontrabandës së cigareve dhe alkoolit përmes Portit të Brindisit. Operacioni është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm me urdhër të Prokurorisë së Brindisit, ku janë goditur dy grupe kriminale e janë ekzekutuar 9 masa ndalimi ndaj 2 shtetasve shqiptarë e 7 italianë. Arrestimet janë kryer në provincën e Barit, Leçes e Brindisit.
Hetimet kanë zbardhur aktivitetin kriminal të një bande që trafikonte përmes detit drogë nga Shqipëria drejt Italisë. Investiguesit italianë kanë verifikuar sasi të konsiderueshme marijuane të transportuar me gomone nga Shqipëria.
Më 15 dhjetor të 2017, këtij grupi kriminal u janë sekuestruar 480 kg marijuanë, një motoskaf e një autoveturë në zonën Lendinuso në provincën e Brindisit. Të arrestuarit janë shqiptari Keliant Llaka 27 vjeç, një tjetër shqiptar i shpallur në kërkim, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur si dhe shtetasit italianë Italo e Giuseppe Lorè 42 e 45 vjeç, Luigi Spina 37 vjeç e Nicola Magli 36 vjeç.
Grupi i dytë kriminal i goditur nga Policia Financiare e Brindisit është i përbërë nga shtetas italianë të akuzuar për kontrabandë cigaresh e alkooli nga Holanda, Polonia e Lituania, me anë të falsifikimit të dokumentacionit të mallrave që hynin përmes Portit të Brindisit.