Trafik emigrantësh drejt SHBA-së, Kanadasë e Anglisë, SPAK çon për gjykim 37 persona

SPAK ka çuar për gjykim 37 persona, të dyshuar si anëtarë të dy grupeve të strukturuara kriminale, të cilët gjatë viteve 2022-2024 kanë ndihmuar shtetas shqiptarë të udhëtojnë ilegalisht drejt Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara.

Sipas SPAK, të pandehurit kanë bashkëpunuar për të prodhuar dokumente të falsifikuara – pasaporta, karta identiteti dhe leje drejtimi të vendeve të Bashkimit Europian duke ndihmuar më tej në organizimin e udhëtimeve, transportin e personave, akomodimin e tyre, si dhe udhëzimin për të kaluar kontrollet kufitare apo për të aplikuar për viza në mënyrë të paligjshme.

Në këtë aktivitet janë përfshirë edhe agjenci udhëtimi të cilat SPAK thotë se bashkëpunonin ngushtësisht për realizimin e itinerareve dhe veprimtarisë së kundërligjshme.

Mes të pandehurve që janë dërguar për gjykim janë Bashkim Sulaj, Njazi Ademaj, Fitim Rama, Xhelal Krasniqi, Rrezart Domi, Ylli Brahimaj, Osman Luca, Artur Mici, Emiljan Marashi, Adrian Mema, Jugert Gashi dhe Maksim Domi. Po ashtu, akuzohen edhe Arsen Caka, Gridi Elezi, Behar Rexha, Deila Qama, Arnold Shahu, Fatmir Stankova, Arben Rushiti, Ylli Çaushaj, Eriola Spaho, Murat Gjuniku, Bajram Xhaja, Bardhyl Imeri, Roland Islamaj, Amarildo Luca, Robert Gjika, Artid Shtylla, Leonard Lama, Xhelil Alla, Besnik Lumaj, Dritan Cena, Altin Neli, Redi Salaj, Behar Nuhiallari, Azem Canaj dhe Perlat Canaj.

Mësohet se “baza” e veprimit të tyre ishte në një ambient në Tiranë, ku prodhonin dokumenta të tëra identifikimi si pasaporta të vendeve të Bashkimit Evropian. Policia ka gjetur një sërë dokumentash false si dhe 37 vula të ndryshme, kryesisht të institucioneve shtetërore dhe private, shumat e parave 25 mijë euro, 20 mijë paund, sende me vlerë, kompjutera e printera që shërbenin për shitje dhe transferta të monedhave virtuale.

SPAK thotë se të pandehurit, e njohin njëri-tjetrin dhe kanë qenë në dijeni për rolin e secilit.

Në kuadër të këtij procedimi penal është krijuar Skuadër e Përbashkët hetimore me autoritetet gjyqësore të Tarragonës, Spanjë, është bashkëpunuar me Agjensinë Federale Amerikane DSS/OCIU, Njësinë e Hetimeve Kriminale, me prezencë në Ambasadën e SHBA-së Tiranë;  dhe me agjensi të ndryshme të huaja ligjzbatuese.

Artikulli paraprakGjergji Nika: Turizmi i qëndrueshëm nuk ndërtohet me taksim selektiv
Artikulli tjetërFarat e linit, efektet pozitive dhe negative nga konsumi i tyre