Trafik kokaine nga Shqipëria, goditet një tjetër bandë në Itali

Një tjetër bandë shqiptare trafikante e drogave të rënda është shkatërruar gjatë ditës së djeshme nga Policia italiane. E drejtuar nga shqiptari 42-vjeçar K.A, kjo bandë kontrollonte trafikun e kokainës pothuajse në të gjithë qytetin e Parmës me një biznes të madh përfitimi. Gjatë operacionit, policia italiane ka mundur të arrestojë në flagrancë 4 anëtarët e kësaj bande. Ata janë shtetasit K.A., 42 vjeç, B.F., 21 vjeç; T.K 20 vjeç dhe S.M, 22 vjeç. Baza operative e tyre ishin tre apartamente të marra në qytetin e Parmës.
Kokaina vinte nga Shqipëria dhe trafikohej përmes korrierëve mjaft të rinj në moshë e të ardhur enkas nga Shqipëria si turistë. Kreu i kësaj bande i punësonte si korrierë droge përgjatë 3 muajve të qëndrimit të tyre në Itali e pas skadimit të afatit të qëndrimit i zëvendësonte me korrierë të rinj nga Shqipëria.
Një gram kokainë shitej me 80 euro e përgjatë 5 muajve hetim, nëntor 2016 -mars 2017 kanë vërtetuar rreth 2060 doza kokainë të shitura me një biznes fitimi prej 166 mijë euro.
Të ardhurat e përfituara nga shitja e kokainës dërgoheshin të gjitha në Shqipëri me anë të Money Trasfert e përdoreshin për ndërtimin e vilës së kreut të kësaj bande. Tre shtetas të tjerë shqiptarë janë denoncuar për riciklim parash.
Përgjimet telefonike të autoriteteve italiane kanë verifikuar se bosi i kësaj bande, shtetasi K.A administronte aktivitetin e bandës me rregulla të forta. Nëse një korrier kundërshtonte mbi çmimin e shitjes së kokainës në treg, rikthehej menjëherë në Shqipëri. “Do t’i kthej në Shqipëri të hanë plehra, pasi nuk kanë më besimin tim”, shprehet K.A, në një nga përgjimet telefonike.

Shqiptari kapet me 2 milionë euro drogë në Itali

Një shqiptar 32-vjeçar rezident prej vitesh në komunën La Spezia në Itali, është arrestuar me akuzën e trafikut të marijuanës. Në zotërim të tij, forcat italiane të rendit kanë sekuestruar 106 kg marijuanë me vlerë përfitimi në treg për 2 milionë euro. Shqiptari me inicialet R.B u ndalua nga Policia, në daljen jugore të autostradës së Modenas, ndërsa udhëtonte me një furgon tip “Fiat Ducati”.
Furgoni ishte i modifikuar enkas për fshehjen e drogës, e në pjesën e poshtme të rimorkios e komanduar me një levë elektronike janë gjetur disa thasë me marijuanë me një peshë prej 106 kg. Vlera e përfitimit e shitjes së saj në treg sipas policisë italiane përllogaritet të jetë rreth 2 milionë euro.
Ndaj shqiptarit R.B 32 vjeç është lëshuar urdhëri i arrestit me burg e aktualisht ndodhet në qendrën e vuajtjes së dënimit Sant’Anna të Modenas në pritje të procesit gjyqësor. Policia italiane ka nisur hetimet për të zbardhur prejardhjen e destinacionit final të kësaj sasie droge.

Greqia sekuestroi këtë vit 16 tonë drogë, shumica nga Shqipëria

Policia greke ka asgjësuar pjesë nga sasitë e drogës së konfiskuar gjatë këtij viti. Në një nga furrnaltat e zonës së Beotisë, u dogjën 25 kilogramë heroinë, 27 kg kokainë, 300 kilogramë kanabis dhe 1,200 fidanë kanabisi. Në këtë aksion ishte i pranishëm edhe drejtori i përgjithshëm i policisë greke, gjeneral leitnant Konstandinos Tsuvalas, që e cilësoi 2017-ën si një vit mjaft të suksesshëm në luftimin e trafikut të drogës. Ai shtoi se 2018-ta do të shpallet si “viti kundër drogës”.
Gjatë 2017-ës u sekuestruan gjithsej 16 tonë kanabis, shumica e të cilave kishin hyrë nga Shqipëria, 302 kg heroinë, 220 kg kokainë dhe 50.000 pilula narkotike. Policia trajtoi 12.000 çështje që lidheshin me drogën. U proceduan 17.000 persona, nga të cilët 12.000 u arrestuan.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë greke tha se, gjatë vitit të ardhshëm, do të operohet në dy akse në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe në sensibilizimin e shoqërisë, për të patur rezultate edhe më të mira në luftën kundër trafikut të drogës.

Artikulli paraprakRriten denoncimet për dhunë në familje
Artikulli tjetërKorrupsioni, rrëzohet kërkesa për pezullimin e 3 gjyqtarëve