Deputeti socialist, Ben Blushi ka bërë publik dje një mesazh kërcënues që i ka ardhur në telefon fill pasi ka mbajtur një fjalim në seancën e kaluar ku foli edhe kundër Elvis Rroshit. Blushi akuzoi Kryeministrin Edi Rama ose siç e quajti ai, kryetar të Rilindjes, se ka mbledhur të gjithë të paaftët dhe se po e mban pushtetin me njerëz me precedentë penalë. Por deklarata nuk është mirëpritur nga kolegu Taulant Balla dhe të dy më pas kanë shpërthyer në një sherr me fjalë fyese. Taulant Balla u ngrit i irrituar nga vendi duke i thënë Blushit: “Dole deputet i PS nga lista, ça vlerash ke ti, shko provo të votohesh…”, i thotë ndër të tjera Balla, kurse Blushi i është kundërpërgjigjur, se PS është rikthyer në një parti halabakësh. Një apel pa mikrofon iu bë dhe Kryeministrit Rama, e jo vetëm nga Blushi. “Përfitoj që ka ardhur kryetari i Rilindjes, s’është shumë kollaj ta gjesh këtu. Kam një pyetje direkte për të, ndaj u çova për procedurë zoti kryetar i Parlamentit. Para një jave jam ngritur në këtë seancë dhe kam thënë se si ka mundësi që kryetari i Bashkisë së Kavajës deklaron se nuk mban mend se si është dënuar në Gjermani. Më ka ardhur një mesazh. Pasi fola në Parlament më ka ardhur një mesazh dhe do ta lexoj këtu. ‘O Blush, jam Elvis Rroshi. Unë nuk kam bo asnjë krim si thatë ju dhe shumë shpejt do të dal në sqarim për publikun, por borxh nuk të kam ty sa të kem qytetin e Kavajës që më mbështet. Unë…etj., etj’. Ka ca sharje që po ja kursej publikut. Unë e neveris këtë lloj qenie, po ç’rëndësi ka. Tani kam një pyetje për ty Rama. Ky e ka emrin Elvis apo Ervin? Kush është ky që më çon mesazh, ta lexoj edhe numrin se ti thu e ka emrin Ervin, ai thotë e kam Elvis. Ky e ka numrin 069 600 7***. Kush është ky Elvisi apo Ervini? Se ti shkon në fushatë dhe thua sa mirë e ka ndërruar emrin ky Elvisi. Pati një problem si të gjithë emigrantët dhe e ndërroi emrin. Shkon Ervini në KQZ si shkon, si Ervin apo si Elvis dhe pyetja që kam për ty kjo është. Pse po ja nxin faqen këtij vendi? Ku e ke këtë aftësi për të grumbulluar kaq shumë të paaftë: Ervinin dhe Elvisin në Kavajë, Shukriun në Peshkopi, Qazon në Elbasan, se s’mbaron kjo histori, isha para 2 muajsh në Elbasan dhe e pe apo jo, doli atje dhe më tha ‘Do të vras se ke bërë një libër’. ‘Do të vras’ tha ishe vetë dhe ti dole the se njësoj është ky që ka thënë ‘do të vras’ me ty që ke bërë një libër që ke ngacmuar atë. O zotëri kë përfaqëson ti këtu, kë përfaqëson këtu? Gjithë llumin e Shqipërisë e ke ngritur në piedestal në Kavajë, në Elbasan, në Peshkopi, edhe në Durrës po të duash, kur e vë atë jastëkun që e mban me vete në avion. Kush janë këta njerëz, janë të gjithë me precedentë penalë. Këta po të rrëzojnë qytetet. Kjo është mënyra si po e mban ti pushtetin. Me këta njerëz kur shkojnë në KQZ kanë frikë të thonë janë dënuar, s’janë dënuar. E ku e gjen guximin ky, e di unë ku e gjen guximin ai, se një qytetar i thjeshtë nuk do e kish bërë dot këtë. Mendon se e mbron ti, Elvis Roshi më çon mua sms me kërcënime. Elvis Rroshi! Nëpër lagjet e Tiranës, kur kam qenë i vogël kam parë me dhjetëra si puna e tij. Këto janë qenie të neveritshme, çështja nuk është pse janë ata e si janë. Çështja është pse nuk i kap ligji? E di pse, sepse i mbron ti, kështu që të lutem dil këtu dhe thuaj si e ka emrin Elvis Rroshi apo Ervin Rroshi dhe ke ndërmend ta mbrosh akoma pas kësaj apo jo? Kjo është pyetja ime”, tha Blushi.
Debatet pa mikrofon, Blushi-Ramës: Jeni fundërrinë e këtij vendi
Menjëherë pas fjalës së Blushit, kryeparlamentari Meta ia dha fjalën Mediut, por ka ndërhyrë Topalli që i ka kërkuar Kryeministrit të reagojë.
Topalli: “Fol, mos hesht e qesh aty. Shih çfarë po ndodh more. Kërcënojnë me sms, fol pse rri”.
Rama i’u përgjigj nga vendi: Ulu aty.
Balla: Ku është procedura këtu?
Paloka: Po kjo ishte e rëndë.
Meta: Do të pushoni se do të flasë Mediu.
Blushi-Ramës: Po çohuo frikacak, çohu fol apo je shok i Elvisit?
Topalli: Çohu jepi përgjigje.
Rama: Ulu moj, ulu. Unë bëj debat me origjinalin.
Topalli: Reago, pra…
Meta: Jam i detyruar të ndërpres seancën 2 minuta, meqë nuk po ndaloni dhe nuk e lini Mediun të flasë.
Balla: Edhe ti je shoku i Elvis Roshit dhe ke qenë.
Blushi: Unë s’kam qenë asnjëherë as shoku jot e as i Elvis Roshit.
Balla: Jeni bërë tre, Basha, Berisha dhe ti. Ik ore se je bërë për turp. Ke ardhur këtu me teserën e PS, bëj detyrën, në mos shko dhe votohu tani e të mësosh sa vota merr.
Blushi: Jeni bërë parti halabakësh, për turp jeni ju…
Balla: Pse qenkemi parti halabakësh, pse s’u bëre ti ministër? Se po të ishe bërë ministër, e shifshe ti sa e mirë do të ishte kjo partia jote.
Një zë nga krahu i PD: Të kanë dalë ushtarët nga dora Pandi.
Balla: Pse nuk shkove në Prokurori?
Blushi: Ju doni të talleni, jeni qesharakë të gjithë, jeni fundërrinë e këtij vendi. Më thua Prokurori, po kë të marr seriozisht unë, ty apo Elvis Roshin? Se në Prokurori shkohet kur merret seriozisht, ky është një palaço. Paguajnë njerëzit taksa për të hetuar Elvis Roshin, se më ka çu mua mesazh, ore jeni mirë ju apo jo. Këta duhen përçmuar, se s’ka b… të mbrohet.
Debati pa kamera
Pas acarimit të situatës në Kuvendin e Shqipërisë, deputeti Ben Blushi ka debatuar edhe me kolegun e tij socialist, Taulant Balla, i cili thotë që ta dërgojë Elvis Rroshin në Prokurori.
Balla: Çoje në Prokurori, pse a nuk çohet në Prokurori a … po ik andej…
Blushi: Ç’prokurori. Ju doni babën, jeni qesharakë të gjithë. Ti dhe ai tjetri atje. Ta çoj në Prokurori. Kë të marr seriozisht, ty apo Elvis Roshin, se në Prokurori çohet kur merret seriozisht.
Ky është një palaço.
Të shkoj unë në Prokurori për këtë. Kanë paguar njerëzit taksa për të hetuar Elvis Roshi, se më ka çuar mua mesazh. Ore jeni mirë apo nuk jeni. Këta duhen tallur, duhen përçmuar, siç përçmohet ky.
I përçmueshëm. S’ka bythë të mbrohet.
Dule: Heshtja e Ramës, kriminale
Fill pasi deputeti Blushi deklaroi se ishte kërcënuar me sms në telefon nga kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi, salla e Kuvendit është përfshirë në debate të ashpra. Rastin në fjalë e kanë e dënuar kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka. “Isha në një trilemë në lidhje me situatën politike se, çfarë klasifikimi s’do i bëja skenës politike. Sot na plas një skandal më i madh. Një deputet na thotë se është kërcënuar. Çfarë shembulli po u japim elektoratit? Këtë zgjidheni ju. Thërrisni Konferencën e Kryetarëve. Një koleg kërcënohet dhe askujt nuk i djersin veshi, atëherë për çfarë përgjimesh po flasim? Askush nuk vepron. Askush nuk vepron. A mund të ketë heshtje më kriminale sesa kjo nga vetë Kryeministri dhe kabineti qeveritar?” tha Dule.
Rroshi pranon kërcënimin
Kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi pranoi se ka kërcënuar deputetin Ben Blushi me anë të një mesazhi në celular. “Dëshiroj të kërkoj ndjesë për një mesazh të nisur që sigurisht nuk është i hijshëm dhe përmban një gjuhë që nuk duhet përdorur gjithsesi”, shkruan Elvis Rroshi në profilin e tij zyrtar në Facebook. Ai i kërkoi ndjesë qytetarëve të Kavajës, por e justifikoi shkeljen e etikës duke thënë se “i ka ardhur shpirti në majë të hundës”. Në fund të ndjesës së tij, kryebashkiaku mohoi të ketë lidhje me krimin dhe deklaroi se po pret zbatimin e ligjit të dekriminalizimit për të zbardhur të vërtetën. Në fillim të majit, zoti Rroshi ka deklaruar në formularin e ligjit të dekriminalizimit se është hetuar dhe gjykuar për një vepër penale në Gjermani, në vitet 2000, por nuk e mban mend krimin për të cilin është gjykuar dhe vendimin e gjykatës. Disa ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur verifikimin e të dhënave të vetëdeklaruara nga kryebashkiaku Rroshi.
Kërcënimi nga Elvis Roshi, Tahiri sms “këshilluese” Blushit
Pas denoncimit në Kuvend që ka bërë deputeti Ben Blushi ndaj kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi, ndaj tij kanë ardhur edhe këshilla. Është vetë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili i ka dërguar një mesazh deputetit Ben Blushi ku e ka këshilluar se çfarë të bëjë.
Më poshtë është mesazhi i Tahirit për Blushin:
S. Tahiri: Po, po.
S. Tahiri: Ndaj them.
S. Tahiri: Po pse e mban atë sms, s’e kuptoj.
S. Tahiri: Mirë e denoncove këtu po nis edhe kallëzim.
S. Tahiri: Se të paktën ndiqet.