Trafikanti i prostitutave në Dibër për Ramën

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka, që u detyrua të lërë mandatin pas presionit të opozitës dhe SHBA-ve për shkak se u zbulua që kishte qenë i dënuar për prostitucion, është angazhuar në zgjedhjet e pjesshme në Dibër. Edi Rama e ka thirrur në ndihmë në fushatën lokale që pritet të kthehet në një betejë politike, pasi konsiderohet si test për zgjedhjet e përgjithshme që po afrojnë. Ndoka, siç e tregojnë këto foto ekskluzive të siguruara nga Lapsi.al, ka zhvilluar takime me drejtues të fushatës së kandidatit socialist Muharrem Rama dhe të afërm të tij, në zonën e Maqëllarës. Ai ka udhëtuar në disa pjesë të kësaj zone me makinat e fushatës së Muharrem Ramës. Arben Ndoka e dorëzoi mandatin e deputetit në shtator 2015, pak muaj para miratimit të ligjit për dekriminalizimin, duke shmangur kështu largimin e detyruar nga parlamenti. Futja e tij në kuvend u përmend si rast i rëndë edhe në raportin e departamentit amerikan të shtetit.
Largimi i tij u përshëndet menjëherë nga ambasada e SHBA. Por edhe pse i dënuar për një vepër të rëndë penale, pas largimit ai mbeti aktiv në PS-në e Lezhës dhe pati ndikim edhe në zgjedhjen e prefektit të ri. Nga opozita Arben Ndoka u akuzua në zgjedhjet e 2013-ës se ushtroi presion ndaj komisionerëve. Ai nuk u zgjodh deputet direkt, por u fut pas lënies së mandatit nga Mimi Kodheli. PD e akuzoi se ai dhe Rama detyruan përmes kërcënimesh dy gra që ishin në listë pas Kodhelit që të mos e pranonin mandatin. Arben Ndoka nuk mban zyrtarisht asnjë detyrë në PS. As në atë të Lezhës. Ai nuk ka asnjë lidhje organike as me PS-në e Dibrës apo miqësore me kandidatin. Thirrja e tij në këto zgjedhje e kompromenton jo pak fushatën e Partisë Socialiste, jo vetëm moralisht, por edhe përsa u përket standardeve zgjedhore. Ai ka qenë objekt akuzash për manipulim të zgjedhjeve në Lezhë. PD njoftoi se ka ngritur një strukturë me ish-policë e të rinj të Akademisë Azem Hajdari për të mbrojtur votën nga grupet kriminale që sipas saj Rama ka dërguar në Dibër.

Varfëria dhe papunësia, Dibranët kërkojnë mbështetjen e Shehut
Kandidati për kryetar të Bashkisë së Dibrës, Sherefedin Shehu zhvilloi një bashkëbisedim me banorët në Kastriotit dhe në Brest të Sipërm. Shehu u njoh me shqetësimet e banorëve, të cilët janë lënë tërësisht në harresë. Asnjë investim nuk është bërë gjatë tri viteve të qeverisë Rama, vetëm është përkeqësuar situata ekonomike. Rritja e çmimit të energjisë elektrike është bërë e papërballueshme, thanë banorët, të cilët treguan se ndihmën ekonomike e shpenzojnë për të paguar faturat e rritura. Dibra dhe dibranët, të mençur e punëtorë, nuk kanë nevojë për lëmoshë, por për dorën e shtetit, të cilën Rama ia ka refuzuar me përçmim këto tri vite, sepse ka rritur çmimin e energjisë, theksoi Shehu. “Kjo qeverisje e keqe e ka çuar vendin në një moment shumë të vështirë. Këtu tek ne sidomos në Dibër, e sidomos tek rinia, ka humbur shpresa. Ne duhet të rikthejmë shpresën. Ju jeni punëtorë, njerëz që nuk prisni qeverinë që t’ju japë lëmoshën, por keni nevojë për mbështetje dhe kjo mbështetje juve ju ka munguar. Përveç kësaj mbështetje që duhej t’jua jepte qeveria, ajo jua ka shtuar barrën. Këtu tek ju, si në të gjithë Shqipërinë, sidomos në zonat e varfëra, pritet ndihma ekonomike, për të shkuar që të paguash faturën e rritur të energjisë elektrike”. Prioritet i Bashkisë do të jenë akset rrugore që lidhin fshatrat me qendrën e njësisë, dyfishimi i subvencioneve në bujqësi e blegtori, vënien në punë të magazinave të grumbullimit të prodhimeve, kanalet e vaditjes etj., theksoi Shehu.
Ai theksoi se bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare, me Bashkimin Europian, Bankën Botërore dhe institucione të tjera do të jenë prioritet i punës së tij që do të sjellë fonde për investime që do të ndërmerren në konsultim të drejtpërdrejtë me banorët dhe jo për fasada që mbushin xhepat e pushtetarëve. “Fati e ka dashur që të përgatis buxhetin e të gjithë shtetit, ndaj është e lehtë për mua të përgatis buxhetin e një bashkie, që do të thotë, që ato dy lekë që do të kemi, duke më pasur mua si kryetar Bashkie do të dimë t’i përdorin më mirë. Unë do të filloj me projektet e vogla, do të filloj në Dovolan, aty nuk është as 1 km rruga për ta dërguar asfaltin në fshat. Do të vij këtu tek ju dhe ju jap fjalën se, sot një vit, asfalti do të jetë këtu në qendër (Brest të Sipërm). Sepse ky është projekti im, tha kandidati i PD, për Bashkinë e Dibrës, Sherefedin Shehu. Duke renditur disa prioritet që ai do të ndjekë në drejtimin e Bashkisë Dibër, Shehu tha: “Prioritet i Bashkisë së drejtuar prej meje do të jenë akset rrugore që lidhin fshatrat me qendrën e njësisë, dyfishimi i subvecioneve në bujqësi e blegtori, vënien në punë të magazinave të grumbullimit të prodhimeve, kanalet e vaditjes etj. Ne do tu krijojmë mundësi familjeve të mos presin siç bëjnë sot ndihma ekonomike për të paguar faturat e energjisë që janë rritur nga qeveria e cila premtoj uljen e çmimit të saj, por të sigurojnë të ardhura nga puna dhe prodhimet e tyre” është shprehur Shehu ndër të tjera.

Prioritet investimet që hapin vende punë e rrisin mirëqënien
Kandidati i opozitës, Sherefedin Shehu takoi banorë të Kalasë së Dodës ku theksoi se prioritet i punës së tij do të jetë investimet në rrugë dhe në bujqësi. Në hapje të takimit nënkryetari i PD, Paloka prezantoi kandidatin Shehu si një intelektual dhe ekspert model në PD dhe parlamentarizmit shqiptar” kandidimi i Sherefedin Shehut i bën nder jo vetëm PD por edhe Dibrës, sepse ai ka dëshmuar gjatë gjithë karrierës së tij përkushtim, integritet dhe vlera, u shpreh Paloka. Kandidati Shehu tha se Dibra në këto vite të qeverisë Rama lëngon nga varfëria dhe është lënë në harresë. Asnjë premtim nuk ka mbajtur Edi Rama por ka bërë të kundërtën. Rriti taksat, çmimin e energjisë elektrike. Me dhjetra familje janë në errësirë sepse s’paguajnë dot faturat e rritura të energjisë ndërsa papunësia është rritur.
“Kjo është një nga zonat me pasuri e resurse të mëdha natyrore në të gjithë vendin por ka nevojë për një dorë të fortë drejtimi, vizion dhe vullnet për të punuar. Nuk ka subvecione në fshat, tregje të reja, pasi paratë nuk shkojnë tek fermerët, por tek njerëz pranë klaneve të qeverisë. Nuk jepen fonde për ndërtime rrugësh, ujësjellësash, shkolla qendra shëndetësore, e hapje vendesh të reja pune, sepse qeveria i harxhon paratë e taksave për lluks qindra milion euro të zyrave dhe pushime luksoze të qeveritarëve. Të gjitha këto investime do të jenë axhenda e përditshme e punës së bashkisë së re, përmes një bashkëpunimi të fortë me partnerët ndërkombëtarë tha Shehu, i cili prej vitesh në karrierën e tij si ekspert i financave dhe ekonomisë njihet për partneritetin efikas me donatorët. Ndër prioritetet e punës sime, tha kandidati Shehu, do të jete mbështetja për familjet e varfra që nuk sigurojnë dot bukën e gojës. Sipas Shehut me reformat e bashkisë së re, Dibra do të kthehet edhe në një potencial konkurrues në rajon , për turizmit malor, një mundësi e mirë dhe për punësim. Bukuritë natyrore të Dibrës janë të jashtëzakonshme së bashku me traditën dhe mikpritjen e veçantë të banorëve, theksoi Sherefedin Shehu.

Artikulli paraprakDc Leaks-Soros: Ndërkombëtarët janë kori im në Shqipëri
Artikulli tjetërDrogë me motorë uji nga Shqipëria drejt Italisë, kapen 214 kg në Bari