Prokuroria e Posaçme SPAK kërkoi 63 vite burg në total për anëtarë të grupit kriminal të ashtuquajtur Habilaj.
Ata akuzohen për trafik e kultivim narkotikësh në kuadër të grupit kriminal.
Konkretisht SPAK kërkoi për Moisi Habilajn, 18 vite burg, Nezar Seitin 15 vite burg, Meridian Sulajn 15 vite burg dhe Fatmir Minajn 15 vite burg.
Moisi Habilaj tashmë ndodhet në arrati, teksa edhe në Itali, për të njëjtat akuza është dënuar rreth 18 vite burg.
Klani Habilaj doli në pah në kuadër të një hetimi që nisi fillimisht nga drejtësia italiane, ndërkohë që emrat e tyre lidheshin me ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri, për të cilin çështja ka shkuar në Gjykatën e Lartë.
Moisi Habilaj, i cili është konsideruar si koka e grupit të trafikut të drogës, u arratis nga vendi i vuajtjes së dënimit të arrestit të shtëpisë, në Itali, dhe tashmë është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gjithashtu, SPAK thekson se i pandehuri Moisi Habilaj duhet ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.