Trafikuan drogë në Belgjikë, u sekuestrohen pasuritë

Disa pasuri të paluajtshme, përfshirë apartament, dyqan dhe sipërfaqe tokë arë, janë sekuestruar nga Prokuroria për Krime të Rënda, pasi dyshohet se janë krijuar nga aktiviteti kriminal në Belgjikë i shtetasve Selim Duzha nga Berati dhe Eugen Gengo nga Korça. Gjykata për Krime të Rënda pranoi kërkesën e Prokurorisë, e cila është duke kryer hetim pasuror ndaj këtyre shtetasve dhe familjarëve të tyre, në kuadër të ligjit të njohur si “Antimafia”. Shtetasit Duzha dhe Gengo janë shpallur fajtor dhe dënuar në Belgjike, së bashku me disa të tjerë, pasi janë akuzuar se janë përfshirë në trafik dhe shpërndarje lëndësh narkotike në vitet 2013-2014.
Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimin në bazë të kërkesës për ndihmë juridike nga ana e autoriteteve belge, të cilat kishin krijuar dyshimin se Duzha dhe Gengu kishin transferuar në Shqipëri të ardhura që kishin krijuar nga aktiviteti i tyre kriminal.
Prokuroria për Krime, në bazë të hetimeve të deritanishme, ka evidentuar disa pasuri të paluajtshme, për të cilat të dyshuarit dhe familjarët e tyre nuk kanë pasur mundësi reale për t’i krijuar me burime të ligjshme financiare.
Më konkretisht, Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur nën sekuestro, pasuritë në emër të familjarëve Duzha (Dule), apartament me sip. 75 m2 në plazh, Durrës, njësi tregtare (dyqan) në plazh, Durrës, si dhe tokë arë, me sipërfaqe 420 m2 në Berat.

Artikulli paraprakLubonja: Kjo bandë kriminale duhet hequr qafe
Artikulli tjetër60 kg drogë nga Shqipëria sekuestrohen në Greqi