“Trafikuan informacione sekrete”- BIRN: Një mori zyrtarësh shtetërorë me ndërmjetës ish-deputetin e PS-së, Jurgis Çyrbja i shërbyen krimit të organizuar

Zbulimi i komunikimeve të kryera përmes aplikacionit Sky ECC nga autoritetet franceze nxorri në pah një numër të lartë zyrtarësh shqiptarë të paidentifikuar ende të cilët, me ndërmjetësimin e ish-deputetit Jurgis Çyrbja i shërbyen strukturave të krimit të organizuar në Durrës e Shijak.

Një numër zyrtarësh publikë të paidentifikuar trafikuan te krimi i organizuar informacione sekrete, duke dekonspiruar operacione policore dhe duke përdorur si ndërmjetës ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja, i cili u arrestua të dielën.

Në një njoftim të detajuar për shtyp, Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, bëri të ditur se kapja e komunikimeve të Çyrbes në Sky ECC ka sjellë mes të tjerave, të zbulimit të “së paku shtatë raste” të nxjerrjes së sektetit shtetëror, blerjes së votave nga persona të dyshuar si të përfshirë në struktura të krimit të organizuar gjatë zgjedhjeve të vitit 2021 si dhe fshehje dhe ndihmë për persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Çkodimi i aplikacioneve të enkriptuara SKY dhe ECC zbuluan se ish-deputeti socialist, Jurgis Çyrbja dhe funksionarë të tjerë publikë u vendosën në shërbim të krimit, duke i ndihmuar me të dhëna që përbëjnë sekret shtetëror, si dhe duke dekonspiruar operacionet për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Çyrbja akuzohet se ndihmoi në këmbim të votave gjatë fushatës zgjedhore 2021, Altin Hajrin, pronarin e resortit Golden në Shijak, të akuzuar për pengamrrje e zhdukje të kufomës.

Jurgis Çyrbja akuzohet nga Prokuroria e Posaçme, SPAK se kur ka mbajtur funksione shtetërore, përfshi dhe atë të deputetit nën siglën e Partisë Socialiste, ka bashkëpunuar dhe ndihmuar anëtarë të krimit të organizuar, duke dekonspiruar në vijimësi operacione të Policisë së Shtetit. Çyrbja akuzohet se ka zbuluar akte e të dhëna sekrete dhe i ka tregtuar ato, si dhe se ka përkrahur e ndihmuar persona të përfshirë në krime – vepra penale që i ka kryer në mënyrë të përsëritur.  Në disa raste ai akuzohet se ka bashkëpunuar me shtetasin Ahmet Masha për kryerjen e këtyre veprave penale. Po ashtu, Çyrbja akuzohet se ka ndihmuar në këmbim të votave, Altin Hajrin, pronarin e resortit Golden në Shijak të akuzuar për marrjen peng dhe zhdukjen e një personi në 2020-ën .

Hetimet e prokurorisë, kanë evidentuar se Çyrbja, për të siguruar të dhënat sekrete që i’ua ka ofruar personave në kërkim,  është ndihmuar nga funksionarë të tjerë shtetërorë.

SPAK njofton se krimet e ish-deputetit socialist janë zbuluar nga përgjimet e aplikacioneve të engrkiptuara SKY ECC. SKY është një aplikacion që është përdorur gjatë viteve 2019-2021, kur Çyrbja ushtronte funksionin e deputetit.

“…ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se, funksionarë publik(të paidentifikuar deri në këtë fazë të hetimit), në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës në 7(shtatë) raste, kanë zbuluar akte të cilat ligji i përcakton si sekret shtetëror, pasi me përmbajtjen e tyre rezulton se është vënë në dijeni personi nën hetim J.Ç., duke konsumuar elementët e veprës penale ‘Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete’”, citohet në njoftimin e SPAK.

Nga hetimet ka rezultuar se aktet sekrete me anën e të cilave është vënë në dijeni Çyrbja, konfirmonin faktin se bashkëbiseduesit e aplikacionit të enkriptuar “Sky ECC” ishin persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Informacionet që përbëjnë sekret shtetëror, u janë transmetuar pikërisht personave të shpallur në kërkim.

po ashtu, ka rezultuar se Çyrbja është vendosur në dijeni edhe të disa planeve operacionale të Policisë së Shtetit, lidhur me kontrollet që do zhvilloheshin në zonën e Durrësit, me qëllim për të kapur personat e shpallur në kërkim. Edhe këto informacione që përbëjnë sekret shtetëror u janë transmetuar personave të shpallur në kërkim, si nga vetë Çyrbja, ashtu edhe përmes angazhimit të Mashas.

Bazuar në informacionet e marra nga Çyrbja dhe Masha, të kërkuarit kanë qëndruar të fshehur për t’i shpëtuar arrestimit. Bazuar në këto të dhëna, SPAK i akuzon dy të proceduarit për përkrahje të autorëve të krimeve.

“Po ashtu nga hetimi i këtij procedimi penal ka rezultuar se personi nën hetim J. Ç., në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka patur një marrëdhënie miqësore me personin tjetër nën hetim A. H., i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale. I hetuari J.Ç., për shkak të funksionit të tij si deputet i ka ofruar favorizime të ndryshme të hetuarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar,  A.H., duke ndërhyrë në agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Shqipëri, me qëllim favorizimin e tij apo të lidhjeve të ngushta familjare e shoqërore, duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje’”.

Ndërsa personi tjetër, që mësohet të jetë Altin Hajri, i akuzuar për vrasje, në këmbim të favoreve të siguruara nga Çyrbja, i ofronte këtij të fundit që të votonte si dhe të siguronte votuesë në funksion të mbështetjes së tij si kandidat për deputet në Qarkun e Durrësit, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Me kërkesë të SPAK, të dielën u ezkekutuan masat e sigurimit për Çyrbjan dhe Mashan, ndërsa Hajri vijon të mbetet në kërkim ndëkrombëtar prej vitit 2020, kur u vendos nën akuzë për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” e kryer në bashkëpunim, “Trafikim i narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”./BIRN

Artikulli paraprakSpirale e tarifave doganore midis Brukselit dhe Pekinit! Deshifrimi i Kinës, luftë tregtare në të gjitha frontet!
Artikulli tjetër“Nuk ka ilaçe për fëmijët me kancer” – Gazetari Osman Stafa dorëzon prova në SPAK për mungesën e barnave te Onkologjiku