Tragetet e linjave të lundrimit nga Durrësi drejt porteve të Italisë dhe anasjelltas gjatë vitit të kaluar kanë transportuar 839.598 udhëtarë dhe 172,961 autovetura gjithsej.
Nga statistikat operative të Autoritetit Portual, mësohet se shifrat e udhëtarëve dhe të autoveturave janë përkatësisht 8 dhe 13 për qind më të larta se sa i gjithë viti 2015.
Gjatë periudhës 12-mujore të vitit që lamë pas, 65,000 udhëtarë më shumë se sa viti paraardhës kanë shfrytëzuar tragetet në hyrje dhe në dalje nga Porti i Durrësit.
Numri i udhëtarëve në hyrje të portit më të madh të vendit është rritur me 13%, ndërsa ai i udhëtarëve që i drejtohen porteve të Barit dhe Ankonës është rritur vetëm me 5%.
Sidoqoftë, numri i udhëtarëve në dalje është më i lartë se sa ai i atyre në hyrje me rreth 16,000 njësi. Gjatë vitit 2016 ka pasur një rritje të numrit të autoveturave me afro 20.500 njësi gjithsej, ndërsa numri i përgjithshëm i tyre, brenda harkut kohor të një viti, ka arritur në 172,961.