Tragjedi, gruaja shkon për të lindur, vdes në spital

Një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur në spital, ku një grua 39-vjeçare gjatë një operacioni ka ndërruar jetë. Bëhet e ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” para dy ditësh, ndërsa janë vënë nën hetim disa mjekë. Bëhet e ditur se gruaja ndërroi jetë në orën 12:00 të së enjtes, afërsisht tri orë, pasi kishte hyrë në operacion. Materniteti nuk njoftoi policinë, por ajo u vu në lëvizje nga familja e gruas.
Ndërhyrja rezulton se është kryer nga drejtori i Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, Blenard Nonaj. Bashkë me të kanë marrë pjesë në operacion, edhe asistenti i tij, Fatmir Kopani, dy mjekët reanimatorë, Vjoleta Todhe, Zef Velia si dhe një mjeke tjetër.
Po ashtu, të pranishëm kanë qenë edhe dy infermieret mami, Almira Azuni, si dhe Mirela Dervishi. Por skandali është më i rëndë, pasi këta persona nuk kanë njoftuar në kohë organet kompetente dhe kanë lejuar që të merrej kufoma nga të afërmit, pa iu nënshtruar ekzaminimeve në morg.
Nuk dihen shkaqet e vdekjes së gruas, por burimet e policisë thonë se, nga deklarimet e marra stafit të mjekëve që kanë marrë pjesë në operacion, gruaja ka pësuar hemoragji, pas operacionit.

Exit mobile version